Dita e 37 e luftës: Kolona me ndihma humanitare e Kryqit të Kuq përpiqet të arrijë në Mariupol

51


08:56 01/04/2022

◾Kolona me ndihma humanitare e Kryqit të Kuq niset për në Mariupol.

◾Një guvernator rus ka akuzuar se helikopterët ukrainas kanë sulmuar një depo nafte në qytetin Belgorod, pasi një zjarr shpërtheu ditën e sotme.

◾Ministri Britanik i Mbrojtjes: Presidenti Putin është një burrë në një kafaz që e ndërtoi vetë.

◾Udhëheqësi rus kërcënon se do të ndalojë furnizimin me gaz për vendet “jomiqësore” nëse ato nuk blihen monedhën ruse (rubla) nga e premtja.

◾Presidenti ukrainas Zelensky ka njoftuar se ka shkarkuar dy gjeneralë pasi ata ishin “tradhtarë”.

◾Presidenti Joe Biden ka njoftuar nxjerrjen e një sasie prej 180 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike të SHBA-së.

◾Qeveria e Ukrainës po dërgon dhjetëra autobusë në Mariupol, në një përpjekje të re për të evakuuar civilët dhe për të ofruar ndihma humanitare.

Ukraina rimerr fshatrat midis Chernihiv dhe Kievit

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka raportuar së fundmi se forcat ukrasinase kanë rimarrë fshatrat Sloboda dhe Lukashivka që ndodhen midis Chernihiv dhe Kievit.

Ukraina vazhdon të bëjë kundërsulme të suksesshme, por të kufizuara në lindje dhe veri-lindje të Kievit.

Si Chernihiv ashtu edhe Kievi janë përballur me sulme të vazhdueshme ajrore dhe raketore, pavarësisht pretendimeve ruse për reduktimin e aktivitetit ushtarak në këto zona.

Kjo vjen pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se forcat ruse në Ukrainë po rigrupohen për të dyfishuar sulmet e tyre në lindje të vendit.

Kolona me ndihma humanitare e Kryqit të Kuq niset për në Mariupol

Kolona me ndihma humanitare e Kryqit të Kuq ka mundur të largohet nga Zaporizhzhia, duke udhëtuar drejt Mariupolit me qëllim që të lehtësojë evakuimin e civilëve nga qyteti i rrethuar, pasi ka marrë garanci sigurie nga të gjitha anët.

Ky udhëtim nga Mariupoli është përshkruar nga Kryqi i Kuq si shumë i rëndësishëm pasi dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur ende të bllokuar brenda qytetit të bombarduar nga trupat ruse.

Por ana ana tjetër, ky mision nuk ka një garanci të plotë për sukses duke pasur parasysh se përpjekjet e mëparshme për të krijuar korridore humanitare nuk kanë funksionuar sepse armëpushimet e rëna dakord paraprakisht nuk u zbatuan.

Kuptohet se qëllimi kryesor i kësaj kolone të vogël të Kryqit të Kuq do të jetë të lehtësojë dhe shoqërojë evakuimin e civilëve nga Mariupol në autobusët e ofruar nga qeveria ukrainase.

Ky operacion është parashikuar që të kryhet brenda një dite.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë takim për rritjen e çmimeve

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë do të mbajë një takim për të diskutuar mbi rritjen e çmimeve të naftës. Ky takim vjen pas vendimit që ndërmori administrata e Joe Biden për të hedhur në treg 180 milion fuçi naftë, rezerva më e madhe e hedhur ndonjëherë që nga 1974.

Konsumatorët e mëdhenj po kërkojnë mënyra për të lehtësuar ndikimin e çmimeve globale të naftës, të cilat janë rritur më shumë se 30% këtë vit duke ndikuar në ekonomitë e tyre.

Sipas IEA, sanksionet perëndimore ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës pritet të kenë një humbje prej rreth 3 milionë fuçi në ditë naftë ruse në Prill. Për të plotësuar mungesën, Presidenti Joe Biden autorizoi lirimin më të madh ndonjëherë nga Rezervat Strategjike të Naftës së SHBA, një çlirim prej 1 milion naftë bruto për gjashtë muaj duke filluar nga Maji. 

Disa anëtarë në Azi kanë thënë se do të mbështesin iniciativat e IEA (Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë). Japonia do të veprojë në mënyrë të përshtatshme për lirimin e rezervave të naftës, ndërsa do të vëzhgojë nga afër zhvillimet globale.

Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Energjisë e Koresë së Jugut tha në një deklaratë javën e kaluar se planifikon të mbështesë bashkëpunimin për të importuar naftë e gaz dhe është zotuar të lëshojë 4.42 milionë fuçi.

Zelanda e Re ka rezerva në dispozicion për lirim nëse kërkohet. Australia është zotuar të lëshojë plot 1.7 milionë fuçi që mban në rezervat e saj emergjente.

Rusia ndal eksportet e farave dhe vajit të lulediellit

Eksportet e farave të lulediellit do të ndalohen nga 1 Prilli deri më 31 Gusht dhe një kuotë eksporti prej 1.5 milionë tonë do të vendoset për vajin e lulediellit nga 15 Prilli deri më 31 Gusht, tha ministria. Do të ketë gjithashtu një kuotë eksporti prej 700,000 tonësh për miellin e lulediellit.

Ukraina dhe Rusia janë prodhuesit më të mëdhenj në botë të vajit të lulediellit. India është ndër klientët kryesorë të tyre. India ka kontraktuar 45,000 tonë vaj luledielli rus me një çmim rekord të lartë për dërgesat në prill pasi çmimet e vajit ushqimor në tregun vendas u rritën pasi furnizimet nga Ukraina jane ndalur.

Vaji i papërpunuar i lulediellit rus ofrohet me një çmim rekord prej 2,150 dollarë për tonë, duke përfshirë koston, sigurimin dhe transportin në Indi për dërgesat e prillit, krahasuar me 1,767 dollarë për sojen dhe 1720 dollarë për vajin e papërpunuar të palmës.

“Rusia mund të kufizojë furnizimet me produkte bujqësore vetëm për vendet ‘miqësore’”

Aleati i presidentit rus, Dmitry Medvedev ka paralajmëruar se Rusia mund të kufizojë furnizimet me produkte bujqësore vetëm për vendet “miqësore”. Medvedev u shpreh se Rusia si një eksportues i madh i grurit do të shqyrtojë furnizimin me ushqime dhe produkte bujqësore.

“Ne do të furnizojmë me ushqime dhe produkte bujqësore miqtë tanë. Fatmirësisht ne kemi shumë prej tyre dhe ata nuk janë fare në Evropë apo Amerikën e Veriut”.

Këto paralajmërime vijnë pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se vendet që blejnë gaz nga Rusia duhet të paguajnë në rubla duke filluar nga dita e sotme.

Në një deklaratë televizive të dhënë mbrëmjen e djeshme, Putin tha se kishte nënshkruar një dekret për këtë qëllim, duke shtuar se pagesa në rubla ishte krijuar për të “forcuar sovranitetin e Rusisë”.

Guvernatori rus akuzon Ukrainën për sulmim të një depozite nafte

Guvernatori rajonal i qytetit rus Belgorod ka akuzuar ushtrinë ukrainase se ka sulmuar një depozitë nafte në qytet. Vyacheslav Gladkov tha në Telegram se zjarri, i cili shpërtheu të premten në mëngjes, u shkaktua nga një sulm i dy helikopterëve ukrainas.

Gladkov tha më herët se dy persona janë dëmtuar, por nuk janë në rrezik për jetën. Banorët pranë depozitave janë evakuuar, ndërsa zjarrfikësit kanë shkuar për të vënë flakët nën kontroll.

Ky sulm ndodh dy ditë pasi në rajon  pati shpërthim në një ndërtesë për mbajtjen e armëve. Belgorod ndodhet në veri të kufirit me Ukrainën, 30 kilometra nga kufiri dhe 60 kilometra nga qyteti i Kharkiv.

Ndërkohë Kievi zyrtar nuk ka marrë përgjegjësi për shpërthimet. Në mediat sociale u publikuan pamje të depozitës nën flakë. Siç duket, shtëllunga të mëdha tymi janë ngritur në qiell si pasojë e zjarrit.

Bllokohet autokolona humanitare e Kryqit të Kuq që transportonte ndihma humanitare në Mariupol

Një autokolonë e Kryqit të Kuq që transportonte ndihma humanitare dhe mjekësore në Mariupol është bllokuar në Zaporizhzhia pasi garancitë e kërkuara të sigurisë për ekipin nuk janë marrë ende. Karvani me ndihma shpresohej se do të sillte lehtësim në qytetin e rrethuar ku dhjetëra mijëra njerëz mbeten të bllokuar.

Sipas zyrtarëve ukrainas, autokolonat u përballën me disa probleme duke përfshirë trupat ruse që konfiskuan ndihmën dhe bllokuan autobusët.

Forcat ruse konfiskuan 14 tonë ndihma humanitare nga autobusët e nisur për në Melitopol në Ukrainën jugore, sipas Vereshchuk, ministrja ukrainase e riintegrimit të territoreve të pushtuara përkohësisht.

Vereshchuk tha se ushqimi dhe ilaçet ishin ngarkuar në 12 autobusë.

“Ne jemi duke negociuar që autobusët të kthehen dhe banorët e Melitopolit nesër të evakuohen duke përdorur këta autobusë”, tha ajo.

Presidentja e PE-së viziton Ukrainën

Presidentja e Parlamentit Europian ka udhëtuar drejt Kievit në Ukrainë.

Rrugës për në Kiev”, shkroi Roberta Metsola në një postim në Twitter të enjten në darkë.

Detajet nga udhëtimi i saj nuk janë bërë publike. Po ashtu nuk dihet nëse ajo ka arritur në kryeqytetin ukrainas pasi që prej njoftimit të parë nuk ka asnjë reagim tjetër.

Po ashtu sipas një zyrtari nuk është zbuluar se me kë do të takohet Metsola “për arsye sigurie”.

Gjatë kësaj jave, Presidentja e PE-së tha se është e rëndësishme që parlamenti të mbështesë aspiratat e Ukrainës që të jetë një vend kandidat për integrimin.

Rinisin sot bisedimet për paqen

Rusia dhe Ukraina do të rinisin sërish sot bisedimet për gjetjen e një marrëveshje për paqen. Komunikimi do të jetë online, sipas kreut të delegacionit ukrainas.

Shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i tha CNN se ai ka shumë pak optimizëm se do të ketë një zgjidhje  pas negociatave diplomatike në  Stamboll në  fillim të kësaj jave.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se situata në jug dhe në rajonin e Donbasit mbetej jashtëzakonisht e vështirë dhe përsëriti se Rusia po krijonte forca pranë qytetit të rrethuar të Mariupolit.

Po ashtu në një mesazh online Zelensky njoftoi se kishte shkarkuar dy anëtarë të lartë të shërbimit të sigurisë kombëtare me arsyetimin se ishin tradhtarë.

Sipas Sekretarit të Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar Rusia është tani një “vend më i vogël” si rezultat i pushtimit të saj në Ukrainë. Sipas zyrtarit britanik: “Presidenti Putin nuk është forca që ka qenë. Ai tani është në një kafaz që e ndërtoi vetë. Ushtria e tij është e rraskapitur, ka pësuar humbje të konsiderueshme”.

Ndërkaq Zyrtarët ukrainas raportuan bombardime të rënda në Ukrainën lindore, veçanërisht në rajonet Luhansk dhe Donetsk të Donbasit dhe rreth qytetit verilindor të Kharkiv. Zyrtarët ukrainas dhe  amerikanë thonë se  rusët mund të  rigrupohen në Bjellorusi.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se Ukraina tani u ka thënë atyre se trupat ruse tani janë larguar nga Çernobili.

Disa autobusë evakuimi që  udhëtonin për në Mariupol u mbajtën në një pikë kontrolli ruse dhe 14 tonë ndihma humanitare për në Melitopol u konfiskuan nga trupat ruse të enjten.

Forcat ruse thanë se  do të rihapin  sot korridorin e evakuimit nga Mariupoli i rrethuar në Zaporizhja me kërkesë të liderëve francezë dhe gjermanë. Nga ana tjetër Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola ndodhet për një vizitë në Kiev, por pa zbuluar detaje të agjendës së saj.

REDAKSIA TVKLAN.AL





Huazuar nga