Zbulimi amerikan: Putini po keqinformohet nga këshilltarët

59


09:00 31/03/2022

Moska njoftoi të mërkurën se nuk ishte kishte ende asnjë shenjë të një përparimi në bisedimet e paqes me Ukrainën mes njoftimeve se Rusia ka shkelur premtimin për të reduktuar operacionet ushtarake në periferi të Kievit dhe në qytetin të Çernihivit.

Në mesin e këtyre zhvillimeve Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi të mërkurën me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Udhëheqësit diskutuan mbi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të përmbushur kërkesat kryesore të ndihmës mbi sigurinë për Ukrainën, efektet jetike që armët e dhëna kanë patur në konflikt si dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve të tyre, për të identifikuar burime shtesë për të ndihmuar ushtrinë ukrainase që të mbrojë vendin e saj”, thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden e informoi Presidentin Zelenskiy se Shtetet e Bashkuara synojnë t’i japin qeverisë ukrainase 500 milionë dollarë ndihmë direkte buxhetore”, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, duke vënë në dukje se udhëheqësi ukrainas e ka informuar Presidetin Biden mbi statusin e negociatave.

Telefonata dhe ngërçi i dukshëm në bisedimet e paqes vijnë mes informacioneve të zbulimit, që sugjerojnë se sulmi i nisur më 24 shkurt nga Rusia po shkakton çarje mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe këshilltarëve të tij të lartë ushtarakë.

Tashmë ka tensione të vazhdueshme mes Putinit dhe Ministrisë së Mbrojtjes (ruse)”, konfirmoi një zyrtar amerikan për Zërin e Amerikës të mërkurën, duke folur në kushte anonimiteti.

Këshilltarët e tij të lartë kanë shumë frikë t’i thonë atij të vërtetën“, tha zyrtari, duke vënë në dukje se sipas informacioneve të zbulimit ndihmësit e Presidentit Putinit e kanë keqinformuar atë lidhur me ecurinë e operacioneve ushtarake të trupave ruse, si dhe ndikimin e sanksioneve në ekonominë e Rusisë.

Putini as që e dinte se ushtria e tij po përdorte dhe po humbiste rekrutë në Ukrainë, çka tregon një dështim të qartë në rrjedhën e informacionit të saktë”, shtoi zyrtari.

Zbulimi ushtarak britanik ofroi të mërkurën të tjerë tregues të mëtejshëm mbi problemet ushtarake të Rusisë.

Njësitë (ushtarake) ruse që kanë pësuar humbje të mëdha janë detyruar të kthehen në Bjellorusi dhe Rusi, për t’u riorganizuar dhe rifurnizuar“, tha atasheu britanik i Mbrojtjes, Zëvendës Marshalli Mick Smeath, duke paralajmëruar se forcat ushtarake ruse mund të përpiqen të kompensojnë humbjet duke kryer më shumë sulme me artileri e raketa.

Përqendrimi i deklaruar i Rusisë në një ofensivë në Donetsk dhe Luhansk ka të ngjarë të jetë një pranim në heshtje se po has vështirësi të përparojë në më shumë se një drejtim”, shtoi zoti Smeath.

Zyrtarë të tjerë ushtarakë paralajmëruan gjithashtu se ka një mundësi që Rusia të përpiqet të zgjerojë luftën përtej Ukrainës.

“Ekziston gjithmonë një rrezik”, u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën gjenerali Tod Wolters, Komandanti Suprem i Forcave Aleate dhe komandanti i Komandës Evropiane të SHBA.

Ata padyshim janë në gjendje të përdorin të gjitha mjetet” tha zoti Wolters. “Jam më i shqetësuar për periferinë lindore të NATO-s pasi lidhet me Rusinë“.

Rusia, ndërkohë, dukej se sinjalizoi të mërkurën se po mirëpret bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës 36-ditore.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha gjatë një konference për shtyp të mërkurën se Moska e mirëpreti faktin që Kievi paraqiti një deklaratë me shkrim mbi kërkesat e saj në fillimin e negociatave në Stamboll të Turqisë

Por zoti Peskov tha gjithashtu se Rusia nuk ka parë asgjë premtuese që do të çonte në një marrëveshje përfundimtare. Një ndihmës i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se të dyja palët diskutuan kushtet e një armëpushimi të mundshëm, së bashku me garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën gjatë bisedime të zhvilluara të martën./VOA





Huazuar nga