PSD me aksion para Qeverisë: Albin Kurti, veteran i rrejshëm i UÇK-së

40


Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik para qeverisë, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti, si veteran të rrejshëm të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka mashtruar për të fituar titullin e veteranit luftëtar.

“Veterani i parë kryesor i rrejshëm është Albin Kurti”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, Kurti s’ka qenë pjesë e luftës deri në fund siç e parasheh kushti për të marrë titullin e veteranit luftëtar.

“Siç e dini, kryeministri ka nisur së fundmi një fushatë për çështjen e veteranëve. Ne besojmë se janë dy grupëzime që e kanë trajtuar këtë çështje; ata që e kanë kundërshtuar luftën e UÇK-së dhe të cilët e përdorin një keqpërdorim nga disa veteranë të rrejshëm për ta sulmuar UÇK-në dhe një grup i dytë, mbështetësit e luftës së UÇK-së, vetë luftëtarët që kanë pasur kritika për manipulimin që ka ndodh”, thotë ai.

Tutje shtoi se Kurti bën pjesë në grupin e parë sepse ai e rihapi kur po diskutohet çështja financiare.

“Veteranët ai i sheh si barrë për shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Molliqaj.

Po ashtu theksoi se ekzistojnë prova materiale se Kurti ka bërë deklarim të rrejshëm dhe paralajmëroi se në fillim të javës do të dorëzojnë kallëzim penal ndaj tij për “falsifikimin që e ka bërë në këtë proces të veteranit të UÇK-së”.





Huazuar nga