Masakra e Krushës së Vogël, rrëfimi i Bajram Zylfiut: Ushtari serb na qëlloi me mitraloz

48


Një natë pas nisjes së fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, më 24 mars 1999, mbi 350 qytetarë të Krushës së Vogël dhe të Krushës së Madhe u vranë nga forcat e armatosura serbe.

241 persona u vranë në Krushë të Madhe, nga ta 64 ende të pagjetur ndërsa 113 të tjerë në Krushë të Vogël, nga të cilët 60 të pagjetur.

Gjashtë persona i shpëtuan masakrës së Krushës së Vogël, ndër ta edhe Bajram Zylfiu.

Zyfliu i cili në atë kohë ishte 45-vjeçar rrëfën në “Kallxo Përnime” përjetimet e kësaj masakre.

“Më 25 mars të vitit 1999 jemi largu nga shtëpitë për t’u kthy apet, kinse me jetu aty. Kur jemi kthy të gjitha rrugët kanë qenë me tanke, kanë gjujtë me lloj-lloj armësh. Trupat serbe i kanë djegë shtëpiat, ata t’u i djeg ne t’u ikë. I kemi njoftë disa prej tyre me emra dhe mbiemra. Kanë djegë shtëpia dhe kanë vjedhë lloj-lloj mjete. Unë i kam të regjistrum 56 serbë me emër dhe mbimer që kanë qenë aty”, tha ai.

Ai tregon për ditën e masakrës së Krushës së Vogël.

“Më së pari na kanë grumbullu të gjithëve, na kanë lënë tërë natën. Hysen Ramadanin e kanë vra të parin, as ai nuk ka qenë i armatosen as asgjë, asnjëri nga ne në të vërtetë nuk kena pasë asgjë në dorë. Pastaj jena nda burra dhe gra. Pasi na kanë nda ushtarë serbë na kanë urdhëruar që të largojmë të gjitha gjërat  nga xhepat. Gjatë tërë kohës kanë qenë duke e sharë UÇK-në, Clintonin e të gjithë”.

“Na kanë thënë që me u bo rresht për dy dhe të vendosim duart në kokë. Na kanë dërgu më një shtëpi me dy dhoma dhe një korridor. Turma më e madhe ka qenë në korridor. Tani ka ardhë veç një person me një mitraloz dhe ka gjuajtë në drejtim të neve, 113 persona kemi qenë aty. Pastaj kanë ardhë me Kallash, dhe kënd e kanë pa gjallë kanë gjujtë në të. Unë kam shpëtu se kam qenë nën kufoma, kam qenë nën një djalë të ri që e kanë vra”, rrëfën Zylfiu.





Huazuar nga