Marrëveshja Kiev-Moskë nis të marrë formë

43


19:00 30/03/2022

Kievi propozon 4 anëtarët e Këshillit të Sigurimit si garantues të sovranitetit

Projektmarrëveshja që mund të sjellë paqen mes Kievit dhe Moskës ka nisur të marrë formë mes shumë dyshimesh dhe skepticizmit. Mediat bëjnë të ditur se pala ukrainase propozon 4 nga 5 vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si garante të sovranitetit të vendit, në këmbim të mosanëtarësimit në NATO dhe demilitarizimit të vendit.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Kina mund të kryejnë rolin e garantuesit të sigurisë. Përjashtohet nga ky plan Rusia, si anëtar i pestë i Këshillit. Për këtë propozim ende nuk ka asnjë reagim nga delegacioni rus.

Më herët, Moska pranoi se mori nga pala ukrainase, propozimet me shkrim, ku përfshihet garancia se nuk do të aplikojë për t’u pranuar si anëtare e NATO-s. Kremlini e konsideroi këtë si një hap shumë të rëndësishëm drejt arritjes së paqes, por tha se ka ende shumë punë në këtë drejtim. Por Rusia është kundër çdo propozimi për Krimenë që bie ndesh me njohjes si territor rus. Delegacionet vijojnë bisedimet me ndërmjetësimin turk, pas takimit të zhvilluar të Martën në Stamboll, që ndezi dritën e shpresës për futjen në rrugën e zgjidhjes të konfliktit në Ukrainë.

Tv Klan





Huazuar nga