OBSH paralajmëron Europën – Tv Klan

10

23:40 10/06/2021
“Jemi ende larg imunizimit nga vaksinat, rrezik i lartë në vjeshtë“
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar Europën se megjithëse infeksionet, shtrimet në spital dhe humbjet e jetëve nga Covid-19 kanë rënë ndjeshëm në të gjithë Evropën, rreziku i ringjalljes së virusit mbetet ende i lartë.
Drejtori rajonal i OBSH-së në Evropë, Hans Kluge, u ka bërë thirrje njerëzve dhe qeverive të kenë kujdes gjatë verës.
“Nëse vendosni të udhëtoni, bëjeni me përgjegjësi. Jini të vetëdijshëm për rreziqet. Zbatoni arsyen e shëndoshë dhe mos rrezikoni. Lani duart, mbani distancën, zgjidhni ambientet e hapura, mbani maskën”, tha Kluge.
Gjatë dy muajve të fundit, rastet e reja COVID-19, humbjet e jetëve dhe shtrimet në spital kanë rënë, duke bërë që 36 nga 53 vendet e rajonit të fillojnë zbutjen e kufizimeve.
“Por ne nuk jemi aspak jashtë rrezikut,” ka vijuar më tej Hans Kluge duke bërë thirrje që të gjithë të bëjnë kujdes, të zvogëlojnë rreziqet dhe të qëndrojnë të sigurt.
Sipas Kluge prioriteti kryesor i qeverive duhet të jetë mbrojtja e të moshuarve, njerëzve me sëmundje bashkëshoqëruese si dhe stafit mjekësor i cili qëndron në vijën e parë të frontit kundër armikut të padukshëm. Ai nuk harroi pa përmendur edhe të ashtuquajturin variant Delta të cilën ai e cilësoi si një çështje mjaft shqetësuese.
Klan News

Linku i Huazuar