Kombëtarja U-18 zbret në fushë, nis seleksionimi për këtë grupmoshë

11

Stafi drejtues i ekipit Kombëtar U-18, me në krye trajnerin Ardi Behari ka zhvilluar ditën e sotme një seleksionim një ditor me 34 lojtarë të datëlindjes 2004, të cilët aktivizohen në skuadrat e kampionatit shqiptar e jo vetëm.

Në këtë proces të zhvilluar në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmes, lojtarët u ndoqën nga afër nga trajneri i ekipit Ardi Behari si dhe nga trajnerët e ekipeve të moshave e specialistë të sektorit të Ekipeve Kombëtare në Federatën e Futbollit.

Lojtarët u ndanë në dy grupe duke zhvilluar disa ndeshje testuese, në mënyrë që stafi teknik, me në krye trajnerin Behari të krijojë një ide më të qartë për lojtarët e kësaj grupmoshe dhe për potencialet e këtyre të rinjve, që mund të jenë pjesë e ekipeve Kombëtare zinxhir dhe ekipit A në të ardhmen.

Ky është seleksionimi i dytë për këtë vit që bëhet për këtë grupmoshë, me lojtarë që prej kohësh kanë qenë nën vëzhgimin e Sektorit të Ekipeve Kombëtare në Federatën e Futbollit, ndërsa seleksionimi i parë është zhvilluar në muajin prill.



Huazuar nga