Mbushen kapacitetet e Banjave të Dibrës

37

Duke marrë parasysh se në ndërmarrjen Banjat e Dibrës – Capa, Komuna e Dibrës sheh shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik, shpresa për ditë më të mira të turizmit në banja është prezent tek të gjithë dibranët

Vjollca SADIKU

Dibër, Qershor – Me përmirësimin e situatës epidemiologjike në vendin tonë dhe njëkohësisht edhe në Komunën e Dibrës, dukshëm është përmirësuar edhe situata në Banjat e Dibrës Capa. Nga dita në ditë rritet numri i turistëve edhe atë në të dy lokalitetet e banjave Banjisht dhe Kosovrast. Dëmet e mëdha materiale që pësoi turizmi në banja në Dibër pritet që të përmirësohen gjatë këtij viti, meqë ulet dukshëm numri i të sëmurëve nga Covid-19 dhe nga ana tjetër rritet numri i mysafirëve në Banjat termale të Dibrës. Bordi drejtues i Banjave të Dibrës Capa vlerësojnë se dëmet në turizmin në banja gjatë vitit 2020, ose siç i thonë viti i pandemisë, kanë qenë shumë të mëdha. Investitori dhe drejtori gjeneral i banjave, Mexhit Capa, thekson se vitin e kaluar janë regjistruar vetëm 21 mijë bujtje, numër i cili është katër herë më i vogël se numri mesatar që është realizuar viteve të kaluara. Në vitin 2019, në dy lokalitete e Banjave të Dibrës Capa, respektivisht në Banjisht dhe Kosovrast, u realizuan 93 mijë bujtje.

Edhe për kundër humbjeve të mëdha materiale gjatë vitit të kaluar, Capa thotë se nuk është përjashtuar nga puna asnjë punëtor. “Në përcaktimet tona për punën e ndërmarrjes ka qenë krejt normale që kemi kërkuar ndihmë edhe nga Qeveria. Kur ka një përmirësim të dukshëm të situatës epidemiologjike në lidhje me virusin Covid 19 për shkak të vaksinimit dhe imunitetit natyror të popullatës, presim që të rritet numri i turistëve në banja. Interesimi është i madh meqë ujërat termal të Dibrës janë një ndër ujërat më mjekuese në Europë”, është shprehur Capa.

Po ashtu, pas privatizimit të Banjave të Dibrës janë investuar disa miliona euro, dhe sot objektet hotelerike dhe pishinat i kanë standardet më të larta Evropiane. Pikërisht këto janë edhe shkaqet që ka interesim të madh të turistëve për të ardhur në Banjat e Dibrës Capa, edhe atë jo vetëm nga vendi, por edhe të atyre nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe vendeve tjera të Evropës. “Presim që muajve në vijim, ardhja e mysafirëve në banja ta ketë dinamikën e viteve të kaluara”, është shprehur Capa.

Në bisedën që patëm me disa turistë të vendeve të ndryshme që qëndrojnë në lokalitetin e banjave të Banjishtit, u informuam se prezenca e tyre dhe akomodimi në kapacitete hotelerike dhe shfrytëzimi i ujit termal u ka ndihmuar shumë në shërimin e disa sëmundjeve që ata kanë. Marcela Arifi është nga Durrësi thotë se ka qenë dy herë më parë në banjat e Dibrës në lokalitetin e Banjishtit. Ajo vuan nga reuma dhe uji i banjave të Dibrës ka patur shumë efekte pozitive në shëndetin e saj. “Vitin e kaluar nuk pata mundësi të vij në Banjat e Dibrës për shkak të pandemisë, por sivjet meqë situata është përmirësuar, jam këtu”, thot Marcela dhe shton se me të në Banjat e Dibrës kanë ardhur edhe disa shoqe të saj.

Adem Hasani nga Tetova thotë se pothuajse çdo vit qëndron në Banjat e Dibrës. “Me përmirësimin e situatës në lidhje me virusin Covid 19, përsëri jam në Dibër, meqë jam shumë i kënaqur nga uji termal. Kam probleme me sëmundje të sistemit gastro-intestinal. Vite me radhë vuaj nga gastriti kronik dhe uji i banjave ndikon shumë pozitivisht në shërimin e gastrit”, thotë Ademi.

Shpresa tek bordi udhëheqës i banjave është ringjallur dhe pret që këtë vit përsëri të arrijnë numrin mestar të bujtjeve. Duke marrë parasysh se në ndërmarrjen Banjat e Dibrsë Capa Komuna e Dibrës sheh shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik, shpresa për ditë më të mira të turizmit në banja është prezent tek të gjithë dibranët. Në sferën e turizmit në banja janë punësuar mbi 270 punëtorë, gjë e cila ndikon shumë pozitivisht në punësimin e dibranëve. (koha.mk)