Dibër – Kapexhikët që u zëvendësuam me “sms”

50

Në momentet e rënda të jetës janë shfrytëzuar maksimalisht këta dyer të vogla që kanë lidhur jo vetëm shtëpitë mes vete, por një mëhallë të tërë. Kapexhikët sidomos kanë ndihmuar gjatë kohërave të luftërave, thotë dibrani Zini Ame, i cili i jeton vitet e 80-ta. Sipas tij, roli dhe domethënia e kapexhikëve ka qenë i madh në momentet e rënda të jetës dhe më shumë janë përdorur kapexhikët se sa dyert kryesore të shtëpive

Dibër, maj – Dibra, si një qytet i lashtë, ka patur një numër të madh të “kapexhikëve”. Qyteti dhe shtëpitë në të – pos derës kryesore, kanë patur edhe kapexhikët. Bëhet fjalë për dyer sekondar nga të cilët është komunikuar mes shtëpive, respektivisht familjeve të mëhallës. Pjesa e vjetër e qytetit të Dibrës deri në vitet të 60-ta – edhe atë para tërmetit katastrofal të vitit 1967, i ka patur kapexhikët për kontakte me fqinjët. Por, dëmet që pësuan objektet nga tërmeti katastrofal, faktikisht ndryshuan këtë komunikim. Rrënimi i objekteve për banim, por edhe muret me të cilët ishin rrethuar oborret familjare sollën deri tek shkatërrimi edhe i kapexhikëve nëpër shtëpi. Komunikimi nëpërmjet kapexhikëve sot është zëvendësuar kryesisht me teknologjinë e re, respektivisht me dërgimin e mesazheve-sms.
Qyteti i Dibrës dhe dibranët në të kaluarën, duke marrë parasysh situatat politike, por edhe luftërat dhe konfliktet e shumta që kanë ndodhur në të, kanë shfrytëzuar masovisht dyert sekondare të shtëpive, respektivisht kapexhikët. Të gjitha shtëpitë e qytetit të vjetër të Dibrës e kanë pasur nga një të tillë – veçmas nga dyert e mëdha të oborrit. Në momentet e rënda të jetës janë shfrytëzuar maksimalisht këta dyer të vogla që kanë lidhur jo vetëm shtëpitë mes vete, por një mëhallë të tërë. Kapexhikët sidomos kanë ndihmuar gjatë kohërave të luftërave, thotë dibrani Zini Ame, i cili i jeton vitet e 80-ta. Sipas tij, roli dhe domethënia e kapexhikëve ka qenë i madh në momentet e rënda të jetës dhe më shumë janë përdorur kapexhikët se sa dyert kryesore të shtëpive. Nëpërmjet tyre shpeshherë janë shpëtuar jetët e patriotëve dibran. Po ashtu, familjet kanë ndihmuar njëra-tjetrën në sigurimin e ushqimeve gjatë luftërave të ndryshme.
Amviset dibrane të moshuara kujtojnë edhe sot kapexhikët që kanë patur nëpër shtëpitë e tyre të vjetra. Resmie Jakupi thotë se Dibra në të kaluarën është karakterizuar me lidhjet e ngushta që kanë patur familjet nëpërmjet kapexhikëve. E kujtoj mirë, tregon ajo rolin e këtyre dyerve të vogla siç quheshin shpeshherë. “Gratë dibrane kanë shfrytëzuar maksimalisht këta dyer, meqë sidomos gjatë kohës së luftërave ose sundimeve të ndryshme në të kaluarën, femra shqiptare nuk ka shfrytëzuar dyert kryesore për shkak të sigurisë të tyre. Veshja tradicionale dibrane që është përdorur nga femrat në atë kohë, dhe mbulesat që kanë mbajt në kokë, kanë kërkuar përdorim të kapexhikëve. Dalja nga dera kryesore ka detyruar gratë dibrane që të veshin mantën”, tregon Resmia. Sot, thotë ajo, shtëpitë e reja në Dibër nuk kanë kapexhik.
Duke qeshur, thekson se në vend të komunikimit me kapexhikët, sot me fqinjët më shumë komunikohet nëpërmjet telefonave dhe mesazheve-sms. Po të njëjtën e thekson edhe i riu Bledari, i cili thotë se për kapexhikët ka dëgjuar nga prindërit e tij meqë ka lindur viteve të 70-ta kur në Dibër kapexhikët filluan të zhduken. Ai thotë se është një etapë interesante e Dibrës. Thotë se sipas asaj që ka dëgjuar, roli i këtyre dyerve të vogla ka ndihmuar Dibrën dhe dibranët. Por, shprehet ai, sot në shekullin e 21 ashtu edhe siç është edhe komunikimi në qytetet tjera, edhe dibranët komunikimin nuk e bëjnë nëpërmjet kapexhikëve, por nëpërmjet teknologjisë së re që mundësojnë telefonat celular. (koha.mk)