Dibër – Leshi i dhenve përfundon në deponi

56

“Për fat të keq, problemi për plasmanin e leshit të dhenve po shkakton probleme financiare tek të gjithë blegtorët”, thotë Ame, ndërsa kujton vitet kur përveç parave që grumbullonim nga mishi dhe qumështi, blegtorët përfitonim edhe nga shitja e leshit. “Kemi tentuar shumë herë që të angazhojmë grumbullues të leshit, por pa sukses”

Vjollca SADIKU

Dibër, 5 maj – Mbi 100 blegtorë të Dibrës dhe Komunës rurale Qendër Zhupë këto ditë janë duke realizuar qethjen të dhenve. Bëhet fjalë për qethje të mbi 30 mijë krerëve dhën, por për fat të keq, sipas përfaqësuesve të shoqatës të blegtorëve dibran “Dashi”, edhe këtë vit leshi i dhenve do të hidhet dhe nga ai nuk do të përfitohet asnjë denarë. Kjo situatë është prezente plot katër vite, meqë nuk ka grumbullim të leshit të dhenve.

Në takimin që kishin blegtorët e Komunave Dibër dhe Qendër Zhupë me udhëheqësinë e shoqatës të blegtorëve “Dashi”, ata edhe një herë shprehën pakënaqësinë që nuk ka një grumbullim të organizuar të leshit të dhenve. Kryetari i kësaj shoqate, Skënder Ame thotë se tani më katër vite leshi i dhenve përfundon nëpër deponi të ndryshme. “Për fat të keq, problemi për plasmanin e leshit të dhenve po shkakton probleme financiare tek të gjithë blegtorët”, thotë Ame, ndërsa kujton vitet kur përveç parave që grumbullonim nga mishi dhe qumështi, blegtorët përfitonim edhe nga shitja e leshit. Kemi tentuar shumë herë që të angazhojmë grumbullues të leshit, por pa sukses, tregon Ame. Sipas tij, edhe këtë vit pritet që nga qethja e dhenve të grumbullohen afro 60 ton lesh. Dëmet në këtë drejtim janë të mëdha edhe pse leshi i dhenve nga rajoni më perëndimor i vendit ka një kualitet të lartë.

Ame na informoi se deri para tre dekadave, kur në Dibër funksiononte fabrika e qilimave, udhëheqësia e fabrikës e grumbullonte të gjithë leshin e dhenve jo vetëm nga Dibra dhe Qendër Zhupa, por edhe nga Reka dhe Mavrova. Përfitimet nga leshi nga ana e blegtorëve dibran atë kohë ishin të mëdha, por pas mbylljes së fabrikës, blegtorët nëpërmjet tregtarëve të ndryshëm në vend leshin filluan ta plasojnë në Republikën e Turqisë. Kjo lloj tregtie zgjati 25 vite. Edhe në këtë periudhë përfitimet të blegtorëve ishin solide. Megjithatë, pas ndërprerjes të plasmanit të leshit në Turqi, blegtorët të njëjtën e hedhin nëpër deponi të ndryshme. “Në takimet që kemi me shoqata të blegtorëve në qytete të tjera të vendit, jemi të informuar se pjesa më e madhe e tyre ka probleme të njëjta, por paraqitet një mundësi që tani disa tregtar nga Shkupi veçmë kanë filluar të grumbullojnë lesh dele, i cili plasohet jashtë vendit. Por, kjo sezonë për fat të keq përfundon ashtu siç kanë përfunduar viteve të fundit. Leshi i dhenve nga Dibra dhe Zhupa do të hidhet”, thotë Ame.

Përndryshe, leshi i dhenve tradicionalisht në vitet e pas Luftës së Dytë botërore e deri viteve të 70-ta është përdorur nga popullata për përgatitjen e veshjeve të ndryshme. Atë kohë, në Dibër funksiononte edhe punëtoria për përpunimin e leshit edhe atë me shumë suksese. Banorët e fshatrave të cilët kishin dhen, leshin e sillnin në Dibër dhe punëtoria e Selim Papranikut pastronte leshin i cili më pas bëhej tirrej dhe bëheshin triko, doreza, çorape…. Deri vonë, leshi i papërpunuar përdorej edhe për kurimin e sëmundjeve të bronkitit, astmës…. Përgatitej pëlhurë e veçantë, e cila vendosej në kraharorin e të sëmurit. (koha.mk)