Babë e bir deklarohen të pafajshëm për vrasjen që ndodhi vitin e kaluar në Prishtinë

17

Ka nisur shqyrtimi gjyqësor në rastin ku babë e bir, Baki Shkodriqi e Besnik Shkodra janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që lidhen me vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në shkurt të vitit të kaluar, në Prishtinë, ku kishte mbetur i vdekur Abit Jashari.

Besnik Shkodra po akuzohet për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje, kurse babai i tij, Baki Shkodriqi po akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë.

Pas konfirmimit të aktakuzës, të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi ndaj dy të akuzuarve.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ilaz Beqiri, dy të akuzuarit kanë deklaruar se e kuptojnë aktakuzën dhe kanë mohuar fajësinë.

Besnik Shkodra është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërkaq ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes.

Ndërkaq babai i tij, Baki Shkodriqi është deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën e ngarkon prokuroria.

I akuzuari Besnik lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë deklaroi se pranon veprimet mirëpo jo fajësinë.

“Veprimet i pranoj, ndërsa fajësinë nuk e pranoj”,deklaroi ai.

Ndërkaq sa i përket veprës penale të armëmbajtjes i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shkodra, avokati Skender Musa deklaroi se është konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësin e tij lidhur me pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë për sa i përket veprës penale të armëmbajtjes.

“Gjithashtu sa i përket pikës së parë, nuk e pranojmë cilësimin juridik të vrasjes së rëndë”, tha avokati.

Me pranimin e fajësisë u pajtua edhe prokurori Ilaz Beqiri i cili shtoi se i akuzuari është konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësin e tij, ka kuptuar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

Prokurori Beqiri tha se pranimi i fajësisë është në përputhje me provat nga shkresat e lëndës andaj i propozoi gjykatës që pranimin e fajësisë ta aprovoi.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokti Jeton Osmani deklaroi se pranimi i fajësisë është bërë në harmoni me të gjeturat e prokurorisë dhe provat nga shkresat e lëndës, duke shtuar se nuk e kundërshtojnë.

Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi pranimin e fajësisë duke konstatuar se i akuzuari ka kuptuar pasojat e pranimit të fajësisë dhe këtë e ka bërë në mënyrë të vullnetshme.

I pafajshëm u deklarua i akuzuari Baki Shkodriqi, ai tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe se nuk e pranon fajësinë.

“Me gjithë respektin për trupin gjykues dhe prokurorinë unë nuk mund ta pranoj një aktakuzë për të cilën nuk kam asgjë të bëj”, tha i akuzuari Shkodriqi.

Pas deklarimit të të akuzuarve mbi fajësinë u dha fjala hyrëse e palëve.

Prokurori Ilaz Beqiri deklaroi se pas zhvillimit të hetimeve prokuroria ka arritur të siguroj prova të bollshme me të cilat pa asnjë mëdyshje do të vërtetohet se të pandehurit kryen veprat penale që u vihen në barrë.

“Gjendja e tillë faktike do të vërtetohet me dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave të propozuara si në aktakuzë”, shtoi prokurori Beqiri.

Në fjalën e tij hyrëse përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Jeton Osmani deklaroi se i bashkëngjitet fjalës hyrëse të dhënë nga prokurori dhe që sipas tij nga provat e prokurorisë vërtetohet pa mëdyshje së të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

Ai deklaroi se pala e dëmtuar paraqet kërkesën pasurore juridike për të cilën do të deklarohet gjatë shqyrtimit të mëtejshëm.

Në fjalën e tij hyrëse mbrojtësi i të akuzuarit Shkodra, avokati Skender Musa, deklaroi se me anë të provave materiale gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i mbrojturi i tij, nuk është kryerës i veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas tij do të vërtetohet se ka paqartësi sa i përket distancës në mes të ndjerit dhe të akuzuarit për shkak se në bazë të provave materiale, video incizimeve është e pamundshme ajo hapësirë të ketë 4-5 metra.

Mbrojtësi i të akuzuarit deklaroi se vepra është kryer në gjendje të afektit dhe frikës pas ndaljes së veturës nga ana e të ndjerit.

Lidhur me këtë avokati tha se do të paraqesin kërkesë me shkrim për ekzaminimin personalitetit, gjendjes psikike, pa aftësisë mendore, sikurse para, gjatë, pas kryerjes së veprës penale dhe gjatë qëndrimit në paraburgim.

Mbrojtësja e të akuzuarit Baki Shkodriqi, avokatja Sadije Mjekiqi deklaroi se e mbështet deklarimin e të mbrojturit të saj, dhe se konsideron se i mbrojturi i saj nuk është kryerës i veprës penale për të cilën akuzohet.

“Shkaqet dhe rrethanat e mohimit se pse nuk e ka kryer ky veprën penale i kam theksuar në detale edhe në kundërshtimin dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës, por në fokus të veçantë konsideroj se duhet ta kemi të gjithë që marrin pjesë në këtë shqyrtim gjyqësorë përshkrimin e veprimeve inkriminuese përkitazi me të akuzuarin Baki Shkodriqi ngase dispozitivi për të nuk është bërë në bazë të nenit 241 par. 1 pika 4, pika 6 dhe 7 të Kodit të Procedurës Penale”,tha avokatja.

Ajo shtoi se, në dispozitiv për klientin e saj prokuroria si elemente inkriminuese mbi të cilat pretendon ta mbështes akuzën janë vetëm dy fjalë. “A e mbushe” dhe “E kryet”.

“Për habinë time prokuroria fare nuk ka tentuar ta kuptoj se lidhur me çka ishin këto dy fjalë veçanërisht kur i akuzuari Baki Shkodriqi, në mbrojtjen e dhënë në prokurori ka sqaruar qartë dhe saktë se fjala “A e mbushe” është thënë në orën 5 të mëngjesit përmes telefonit e që ka sqaruar se të birit i ka thënë “A e mbushe” telefonin pasi i njëjti pak qaste më parë e kishte paralajmëruar babain se mund të më ndalet telefoni në çdo çast”, tha avokatja.

Ajo shtoi se ngjarja kritike kishte ndodhur rreth orës 11:30, ndërkaq sa i përket fjalës “E kryet” e konsideron si lajmërim të të akuzuarit Besnik se i ka tregu babait se e ka kryer vrasjen.

Ajo tha se të gjithë profesionistët e lëmisë penale e dinë apo duhet ta dinë se nuk mund të ngarkohet asnjë person me ndonjë element inkriminues mbi bazën e mendimit dhe supozimit.

“Aktakuza ndaj klientit tim është pa prova dhe vetëm me supozime dhe mendime”, tha ajo.

Ajo deklaroi se këto dy fjalë prokuroria i ka nxjerr nga transkriptet e bisedave telefonike mirëpo, sipas saj, prokuroria e ka heshtë fjalën e thënë nga i akuzuari Baki Shkodriqi e që është “Çka” e cila është menjëherë pas fjalës “E kryet”.

Sipas saj nëse prokuroria do ta vlerësonte dhe fjalën “Çka” atëherë nuk do të kishte pasur mundësi të ngrit aktakuzë kundër Baki Shkodriqi.

Sipas saj aktakuza nuk ka arritur të vërtetojë asnjë element për të akuzuarin Baki Shkodriqi, as subjektiv dhe as objektiv, raporton Betimi për Drejtësi.

Seanca e radhës ku pritet të vazhdoj shqyrtimi gjyqësor me dëgjimin e dëshmitarëve është caktuar të mbahet më 1 qershor 2021 nga ora 9:15.

Ndryshe, me aktakuzën e ngritur me 22 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se me 27 shkurt 2019, rreth orës 11:30, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, ditë kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ngjyrë e gjelbër, i pandehuri Shkodra ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”, ku i pandehuri për pak kohë e ka vëzhguar të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte i dyshuari, ku me tu afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i pandehuri me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë, ku pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e papërcaktuar e deri me 27 shkurt 2019, i njëjti paautorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryej veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës, ashtu që gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kryet”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.

Për këtë, ai akuzohet për shtytje në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.



Huazuar nga