Zaev: Kontestin me Bullgarinë mund ta zgjidhim edhe me Qeverinë e përkohshme

24

Kryeministri Zaev paralajmëroi zgjidhjen e kontestit dypalësh me Qeverinë bullgare të ekspertëve.

– Advertisements –


Shpresoj se mund të gjejmë zgjidhje me Qeverinë e përkohshme që do ta emërojë Presidenti, Radev. Presim gjithsesi të jenë politikanë të përgjegjshëm me të cilët mund të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje. Problemi është iracional, e kemi patjetër të gjejmë zgjidhje – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Një ditë pasi euro-komesari për Zgjerim, Varheji paralajmëroi mundësinë e fillimit të negociatave me Shqipërinë, pa Maqedoninë e Veriut, Zaev i prerë se nuk na duhet BE-ja, nëse për këtë duhet dhënë identiteti maqedonas.

“Miqtë siç janë partnerët tanë strategjik, shtetet e BE-së dhe SHBA janë këtu të punojnë ide kreative, të ndajnë me ne përvoja, por vendimi është i yni. Me çmim të identitetit dhe gjuhës maqedonase nuk na duhet BE-ja”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Ministri i Jashtëm, Osmani tha për Alsat se asnjë shtet nuk duhet të mbetet peng i dosjeve të shteteve tjera, por se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë t’i fillojnë bashkë negociatat në qershor.

Nuk është çështja a duhet Shqipëria t’i fillojë bisedimet, por nuk guxon Maqedonia e Veriut të mos i fillojë. Meqë i kemi përmbushur kriteret, kredibiliteti i perspektivës evropiane të rajonit është vënë në test. Andaj është shumë e rëndësishme që dy vendet t’i fillojnë bisedimet në qershor dhe mos të ketë ndarje të tillë – tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Nga ana tjetër, opozita fajëson Qeverinë Zaev që në vend se ta afrojë e ka larguar vendin nga BE-ja, duke hedhur poshtë mundësinë e zgjidhjes me qeveri ekspertësh. Sipas VMRO DPMNE-së, me krimin dhe korrupsionin e lartë të pushtetit BE-ja do të mbetet e largët.

Zaev dhe të tjerët përreth tij ngritën shpresë të rreme tek qytetarët se sapo ta zgjidhim çështjen e emrit do të hymë në BE e më pas doli problem i ri me Bullgarinë për të cilën poashtu tha se do të zgjidhet me Marrëveshjen për fqinjësi, Por është e qartë se ajo është marrëveshje klinikisht e vdekur. Nënshkruam diçka nga e cila dalin vetëm detyrime e asnjë përfitim për vendin – u shpreh Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.

Koalicioni ASH AAA fton pushtetin të mos e mbulojë dështimin e saj duke e bllokuar perspektivën evropiane për rajonin.

E rikujtojmë kryeministrin Zaev, Ministrin për euro-integrime, Dimitrov dhe Ministrin për Punë të Jashtme, Bujar Osmani të cilët kanë thënë se zgjerimi bazohet në merita individuale të shteteve kandidate, andaj është mirë ta pranojnë dështimin e tyre dhe t’i hapin rrugë Shqipërisë e cila i ka kryer detyrat e veta. Nëse nuk mundeni për vete mos iu bëni pengesë të tjerëve dhe rajonit – deklaroi Flakron Bexheti, ASH AAA.

Ndryshe nga këmbëngulja e deritanishme e Komisionit Evropian se negociatat për anëtarësim do të fillojnë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në paketë, dje Varheji paralajmëroi “prishjen” eventuale të paketës.

Ky proces bazohet në meritë. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet. Nëse nuk ka marrëveshje në raport me Maqedoninë e Veriut, mund të vijë momenti kur do të na duhet ta konsiderojmë këtë opsion – deklaroi ditë më parë Oliver Varhelyi, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së.

Anesa Salihu

Burimi