Publikimi i shpenzimeve për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, të mos përdoret për qëllime politike

5

Njohësit e çështjeve juridike thonë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të publikuar shpenzimet që shteti i paguan për krerët e UÇK-së, është një vendim i mirë.

Mbi një milionë e 500 mijë euro janë dhënë deri më tani nga shteti i Kosovës për të paguar avokatët e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Këto shifra u bënë të ditura nga Ministria e Shëndetësisë, pasi ishte marrë vendimi për deklasifikim të këtyre dokumenteve.

Një vendim i tillë nuk është pritur keq as nga anëtarët e shoqërisë civile.

Avokati Skënder Musa thotë se kjo transparencë është e dobishme nëse nuk përdoret për qëllime politike.

“Nëse kjo transparencë bëhet për njoftim të opinionit publik është e mirë, por nëse bëhet për qëllime politike siç jemi mësuar deri më tani nuk është mirë. Ministria e Drejtësisë ka plot tema të tjera për  të cilat do të duhej të bëhet transparencë, e jo vetëm për shpenzimet e të akuzuarve të Speciales”, deklaroi për RTV Dukagjinin, avokati Skender Musa.

Ndërsa Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se vendimi i qeverisë për të bërë transparencë me shpenzimet në Hagë është për t’u përshëndetur.

“Vendimi i Qeverisë Kurti për të bërë transparente shpenzimet në Hagë duhet përshëndetur dhe i shërben parimeve të sundimit të ligjit dhe qeverisjes transparente. Për vet faktin se në vitin 2021 janë ndarë afër 21 milionë euro apo 1% e buxhetit të Kosovës për ndihmë financiare ndaj personave të akuzuar nga Gjykata Speciale sigurisht se shfaq interes për qytetarët e Kosovës që të dinë se si do të shpenzohen këto para”, tha ai.

Deri më tani në Hagë janë 8 ish-pjesëtarë të UÇK-së, shumica prej tyre drejtues të lartë./Telegrafi/



Huazuar nga