Nesër nisin gërmimet në Kizhevak, kërkimet për gjetjen e mbetjeve mortore në Mitrovicë pa rezultat –

8

Nisin nesër gërmimet në Kizhevak të Serbisë për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së Kosovës. Javën e kaluar në Mitrovicë gërmimet te varrezat e besimtarëve myslimanë në afërsi të rrugës Mitrovicë-Zveçan, rezultuan pa rezultat.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të pagjeturit, ka thënë për KosovaPress se në këtë lokacion nuk është hasur në mbetje mortore, por e lë mundësinë e rikthimit të gërmimeve në këtë lokacion sërish në të ardhmen.

“Të premten, pas vlerësimit të hapësirës së shënjuar, sipas ekspertëve mjekoligjorë, nuk është hasur në mbetje mortore. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia për rikthim në këtë lokacion, varësisht nga informatat plotësuese që mund të sigurojmë. Sa i përket vazhdimit të gërmimeve në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak, siç e kemi potencuar edhe më parë, ju konfirmojmë se nga nesër, datë 5 maj, do të rifillojnë gërmimet në këtë lokacion. Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, pra ekspertët mjekoligjorë ta Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë të pranishëm, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, në përcjellje të gërmimeve dhe të gjitha fazave tjera profesionale mjekoligjore të nevojshme për t’u realizuar në këtë lokacion”, tha Gara.
Ekspertët mjekoligjorë të pranishëm nga Republika e Kosovës në Kizhevak të Serbisë do të jenë Naim Uka dhe Valon Hyseni.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk dihet ende për fatin e më shumë se 1.600 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb



Huazuar nga