A duhet Kosova të kërkojë garanci te shteti i tretë për lirim të ish-krerëve të UÇK-së?

10

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Tauland Hodaj, vlerëson se institucionet e Kosovës nuk duhet të nisin lobimin për të kërkuar garanci në një shtet të tretë për lirimin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa pranuar kërkesë zyrtare për ndihmë nga avokatët mbrojtës të tyre. Ndërsa, ende nuk dihet nëse Presidenca apo Qeveria e Kosovës kanë pranuar ndonjë kërkesë të tillë apo jo.

Zyra për komunikim e Presidentes së Kosovës ka deklaruar se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

“Nuk ka ende asgjë, sapo të kemi diçka do t’iu lajmërojmë“, tha Bekim Kupina nga zyra për komunikim në presidencë.

Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për këtë çështje.

Gjykata e Apelit në Speciale ka lënë një mundësi të vogël se si mund të ndodhë lirimi me kusht i ish-krerëve të UÇK-së apo gjykimi në liri në rast se garanton një shtet i tretë që nuk është në kufij me Kosovën.

Për avokatin e akredituar nga Gjykata Speciale, Tauland Hodaj Qeveria e Kosovës nuk mund të kërkojë garanci nga një shtet tjetër për lirimin me kusht për ish-krerët ushtarakë dhe politikë të Kosovës, pa pranuar kërkesë për ndihmë nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve. Pasi, siç tha, ai në të kundërtën kjo mund të konsiderohet si ndërhyrje në drejtësi.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të ndërmarr veprime të njëanshme pa koordinim me mbrojtjen e të akuzuarve nëse mbrojtja e të akuzuarve vlerëson që i duhet ndihma e Qeverisë së Kosovës për të marr një garancion nga një shtet i tretë besoj që aty është që duhet bashkëpunuar, prapë në mënyrë zyrtare duke bazuar në procedurë dhe prova. Por, nuk mundet dhe nuk është e duhur që Qeveria e Kosovës në mënyrë të njëanshme të fillojë dhe të lobojë për një garancion të tillë sepse në të kundërtën do të konsiderohet ndërhyrje në drejtësi dhe do t’u kthehej bomerang të akuzuarve”, u shpreh ai, për KosovaPress.

Por Hodaj shton se edhe qeverisë së Kosovës me ligj i lejohet kërkesa për lirim me kusht në Kosovë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, e ish-shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Por Hodaj e sheh më të rrugës kërkesën e mbrojtjes për garanci në një shtet të tretë pasi siç thotë shanset janë më të vogla që kërkesa për lirim me kusht në Kosovë të pranohet nga Gjykata Speciale.

“Kjo është një mundësi që në të ardhmen iu lë një derë të hapur të akuzuarve që me parashtrimet e tyre nëse arrijnë të bindin një shtet të tretë në këtë rast sepse ka qenë kërkesë të marrin një garanacion dhe t’i ofrojnë Gjykatës Speciale. Edhe Kosova në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe rregulloren e procedurave të provave parashihet lirimi me kusht në Kosovë. Por sipas mendimit tim mbrojtja nëse vlerëson se i duhet ndonjë garancion nga Kosova në rregull. Por nuk besoj që ka nevojë për garancion, sepse Gjykata Speciale ka autoritetin e vetë dhe ka policinë e vetë, të EULEX-it dhe të Kosovës që janë të detyruara urdhrat e tyre dhe mund të zbatojnë edhe nëse bëhet lirimi me kusht në arrest shtëpiak mund ta mbikëqyrin sepse i kanë institucionet e veta në Kosovë dhe nuk ka nevojë për garancion. Ndërsa në një shtet tjetër normalisht që ka nevojë për garancion sepse Gjykata Speciale nuk ka polici të vetën. Kosova është një shtet themelues dhe ligji ia lejon që edhe Kosova sepse parimisht lirimi me kusht do duhej të bëhej në Kosovë, por mbrojtja ka konsideruar më të mirë si argument në një shtet të tretë që shanset do të jenë më të mëdha për lirim me kusht sesa në Kosovë dhe besoj që mirë ka bërë sepse në Kosovë janë shanset e vogla që do lirohen. Mbrojtja ka kërkuar një shtet të tretë sepse ka menduar që mundet më lehtë me bind gjykatën”, tha ai.

E nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po kërkojnë që institucionet e Kosovës të ofrojnë garanci për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka thënë se me këto veprime Gjykata Speciale po bënë lojëra politike karshi ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij shteti i Kosovës duhet të garantojë për lirimin me kusht apo gjykimin në liri për ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Sa i përket garancës nga një shtet i tretë Kliniku thotë se kjo varet nga vullneti i të paraburgosurve por edhe nga vullneti i shtetit të tretë.

“Shteti i Kosovës duhet me garantua vetë, e keni në ligj për Dhomat e Specializuara që e ka miratuar vetë Kosova në nenin 421 ceken kushtet se si bëhet lirimet. Sa i përket për shtet të varet nëse i paraburgosuri ka vullnet dhe nëse ka vullnet shteti i tretë. Gjykata Speciale për neve është e papranueshme nuk e kemi njohur dhe nuk e njohim për shkak se mandate i kaluar dhe është duke bërë lojëra politike me opinionin sepse në fund ajo i mban njerëzit e paraburgosur që është edhe rast nuk e di që ndodh kund në botë të mbajë njerëz të paraburgosur pa kurrfarë, edhe vetë Gjykata Speciale i ka organet e veta se si e ka sjell Kadri Veselin për rastin që e patë për babain, kanë mundur t’i thirrin edhe të tjerët edhe kanë mundur t’i përcjellin në bazë të rasteve dhe të shikojnë për kushtet për mbrojtje në liri”, u shpreh ai.

Në Kosovë po vazhdon të qëndrojë ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli pasi është liruar për vizitë nga Gjykata Speciale ku po mbahet në paraburgim si i dyshuar për krime të luftës.

Veseli është duke qëndruar në zyrat e EULEX-it në Prishtinë dhe në Kosovë po qëndron për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij. E vizitat e Veselit tek babai në spitalin e Mitrovicës po mundësohet vetëm përmes sigurisë së madhe të policisë dhe pjesëtarëve të EULEX-it.

E sa i përket ofrimit të garancës për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së ditëve të fundit janë ngritur zërat në Kosovë se tashmë Kroacia do të ofrojë garancë. Por sot një gjë e tillë është demantuar nga deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, e cila ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion zyrtar apo konfirmim se Kroacia do të ofronte garanci për lirimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në nëntor të vitit të kaluar, katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u arrestuan me urdhërarrest të Speciales. Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e kësaj gjykate. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Së fundmi kjo gjykatë refuzoi kërkesën e tyre për lirim të përkohshëm, ndërsa Gjykata e Apelit flitet se ua ka ofruar një mundësi që ndonjë shtet i tretë të ofrojë garanci për lirimin e tyre, e cila ka qenë edhe kërkesë e vetë mbrojtjes. /kp/Telegrafi/



Huazuar nga