Terri që na lanë zgjedhjet e 25 prillit

12

AGIM BAÇI

Duhet ta themi hapur: Nuk është aspak fundi i botës të humbësh një palë zgjedhje. Madje, as kur i humb për herë të tretë. Afërmendsh që partitë e mëdha duken të detyruara për të ardhur në pushtet dhe çdo rezultat tjetër, pavarësisht problemeve të ndryshme që hasen, qofshin edhe vjedhje, i nxjerr përpara publikut këto forca si të paafta për të sjellë ndryshim. Por, unë mendoj se më shumë se sa humbja e opozitës, ne si shoqëri duhet të na shqetësojë mënyra se si fituesi arriti te fitorja, se çfarë mjetesh përdori për të mbajtur pushtetin dhe se çfarë pasojash do të ketë kjo praktikë komunikimi në jetët tona në vitet në vazhdim.
Ka plot nga ata që e konsiderojnë fituesin si të pagjykueshëm, duke e futur diskutimin në një terr me shumë të panjohura. Madje, po t’u hedhim një sy diskutimeve publike të javës paszgjedhore që u mbyll, duket sikur fajtori i vetëm për gjithçka që ndodhi ka qenë z. Basha, ndërkohë që ndaj Kryeministrit Rama nuk debatohen as përfundimet e OSBE/ODIHR, ku qartësisht shënohet përdorimi i institucioneve e ku dënohet përdorimi i të dhënave të qytetarëve. Madje, duken si normale edhe të dhënat që janë botuar nga “Open Data” lidhur me qarkullimin e miliona eurove vetëm pak ditë para zgjedhjeve, veprim ky që dukshëm rezulton të ketë ndikuar në orientimin e votës së 25 prillit, sidomos në dy qarqe që vendosën jo pak për fatin e zgjedhjeve, në Tiranë dhe Durrës.
Megjithatë, edhe pse është legjitim debati në kampin opozitar, për të parë se ku u gabua me strategjinë zgjedhore, se çfarë nuk u koordinua si duhet me faktorët brenda opozitës, si PD apo bashkë me aleatët, ajo çfarë na duhet të na shqetësojë më shumë është pasoja kulturore që ka krijuar maxhoranca aktuale përmes fushatës së këtyre zgjedhjeve, për mënyrën se si e ka kërkuar fitoren. Sepse nuk është terri në mungesën e disa shifrave ekonomike që nuk u dhanë për atë që ishte premtuar, por në mënyrën se si e mendojmë ne moralin e fituesit, apo se si e perceptojmë komunikimin e fituesit me votuesit.
Gjatë gjithë fushatës, ajo që më ka shqetësuar ka qenë lehtësia, përmes së cilës njerëzit debatonin lidhur me çështjen e shitblerjes së votës, për mënyrën se si çdo zyrtar kishte njehsuar kostumin e zyrës së shtetit me atë të partisë. Dikush mund të pyesë se ku janë denoncimet e mia për këtë fenomen. Dhe unë e them sot, se unë s’kisha qëllim t’i kuptoja thjesht ligjërisht bashkëqytetarët e mi. Unë doja të kuptoja se, si e shinin politikën, se çfarë morali prisnin prej politikës dhe prej të zgjedhurve me votën e tyre. Aq më tepër që prania e dhunshme e pushtetit ndjehej në çdo ambient ku takoheshin mbështetësit e opozitës, duke rikthyer një “luftë të ftohtë” mes mbështetësve të forcave politike. Neglizhenca e autoriteteve për të reaguar me denoncime të ndryshme ishte fakt në disa qytete, sidomos në Elbasan, ku në mënyrë qesharake policia i kërkonte drejtuesit politik të PD-së, z. Bardhi, që të fliste për çështjen e zgjedhjeve të 25 prillit në datë 30 prill (!!!)
Nëpër takimet shtëpi më shtëpi apo edhe në grupet që bëheshin bashkë, ndjeja keqardhje që askush nuk pyeste për ndonjë program social-ekonomik. Madje, nuk kishte as pyetje se si mund t’i ndihmojë në jetën e tyre një taksë më e ulët, një qeveri më e vogël apo se si hapen vendet e reja të punës. Shqetësimi ishte nëse do arrinin të kishin një vend pune në administratë, duke lënë të kuptohej se sa të varur ishin nga pushteti. I shihja teksa vraponin të merrnin paratë e rimbursuara vetëm dytri ditë përpara zgjedhjeve, edhe pse për muaj me radhë kishin trokitur në dyert e administratës lokale për të kërkuar që dikush t’i priste. Dhe, ja, papritur, pushteti po tregohej i dëgjueshëm e njëkohësisht shumë praktik. A mund t’ua ndaloje atë përfitim që e kishin pritur prej kohësh që të rindërtonin apo meremetonin shtëpitë e tyre të dëmtuara një vit e gjysmë më parë? A mund t’i ndaloja duke i thënë se ajo ishte një joshje që ata të votonin për të njëjtin pushtet, me shpresën se do vijonin të përfitonin ende edhe pas zgjedhjeve? Jo, unë nuk besoj se ishte vendi apo koha, edhe pse shumicën e ideve të mia ua shkrova dhe thashë çdo ditë. Por, kur shumë bashkëqytetarë kthehen në klientë të qeverisjes, pa fuqinë për të arsyetuar, por vetëm të bindur e të frikësuar, duket se fjalët janë të pafuqishme. Frika që kishte përhapur Kryeministri, kur u thoshte se rindërtimi dhe vaksinimi do ndaloheshin apo frenoheshin nëse fitonin kundërshtarët e tij politikë, kishte krijuar panikun e vet.
A ka ndodhur me qeverinë e djathtë, kur ka qenë në pushtet, një përfshirje e shtetit në zgjedhje, në favor të maxhorancës? Askush nuk e mohon se partia në pushtet mund të ketë disa përparësi, për shkak se zotëron shërbimet ndaj qytetarëve, por asnjëherë nuk ka pasur akuza që partia dhe shteti të ishin bërë njësh, si në këto zgjedhje, siç e theksoi me të drejtë edhe OSBE/ODIHR. Kjo shkrirje mes partisë dhe shtetit u hiqte punonjësve të administratës çdo kostum paanësie, duke i kthyer në zgjatim të shtabeve politike të socialistëve. Madje, bashkë me familjarët, ata duhej të tregonin zellin e tyre në mbështetje të partisë-shtet. Dhe këtë zell mund ta hasje kudo, duke u ndeshur kështu me një dallim gati klasor, si në kohën e diktaturës, që tjetri që nuk entuziazmohej me partinë-shtet, shihej si një armik dhe rrezikonte vendin e punës apo kontroll të papritur në biznesin e vet.
Pikërisht ky pranim kaq lehtësisht i përdorimit të pushtetit, ky diskutim kaq i hapur se me votën mund të negociosh për interesa e jo për ide, e për më tepër, ky respekt i policisë dhe gjithë strukturave shtetërore për “të fortët”, për ata që paguajnë për votën, është çështja që duhet të na shqetësojë të gjithëve, pasi tashmë nuk kemi më garë politike, por një konkurrim që lidhet me muskujt, me paratë e që nxjerr në plan të parë të menduarit me bark e jo kokë. Një garë e tillë i lë interesat afatgjata të komunitetit jashtë debatit dhe i fut qytetarët në një terr të përgjithshëm. Madje, ata që janë të ndershëm e të drejtë, shihen si një gjë e shkuar në kohë për shoqërinë, shihen si naivë, që dëmtojnë veten dhe të tjerët dhe do të vijojnë të zvogëlohen gjithnjë e më shumë në çdo zonë, në çdo qytet e fshat, pasi ndershmëria e tyre sot shihet si e pavlerë, si diçka që u prish punë, që u vështirëson jetën.
Mundet që me këmbënguljen time për të mos blerë askënd, duke besuar se shitja e votës është licencim ndaj talljes dhe poshtërimit, të kem zhgënjyer mjaft nga ata që prisnin vetëm fitoren në zgjedhje, pa u marrë me rrugëtimin drejt kësaj fitoreje. Por, edhe nëse do rikthehesha sërish në fushatë, unë besoj se do bëja të njëjtën gjë, i bindur se një fitore vlen nëse ke mundur të ftosh bashkëqytetarët e tu të kenë respekt për veten e tyre. Unë besoj se një fitore vlen nëse u ke rikthyer besimin se ata munden të ndërtojnë një jetë në liri dhe me dinjitet.
Ky promovim kaq i hapur i “të fortëve”, si model komunikimi nga z. Rama, e sidomos pranimi si normal i faktit se qeverisë i lejohet të bëjë gjithçka për të mbajtur pushtetin, edhe pa dhënë asnjë llogari se si i ka përdorur taksat, se nëse i ka mbajtur apo jo premtimet elektorale, është tashmë sfida jonë si shoqëri. Nuk është aspak e lehtë, por është gjëja më e rëndësishme, për të cilën duhet të shqetësohemi. Nuk ka të bëjë aspak vetëm me opozitën e sotme e as me kohën që ajo duhet të vijë në pushtet. Ky është një alarm për të ardhmen tonë që të mos përfundojmë si një shoqëri pa zë, si një shoqëri e frikësuar, që flet me gjuhën e propagandës televizive, pa menduar se çfarë është e vërteta, pa u shqetësuar për dinjitetin. Nëse duam që të mos kemi hijet e së shkuarës së diktaturës mes nesh, të cilën ende nuk e kemi lënë pas për shkak të së ligës së pamat që ajo mbolli, ne duhet të bëjmë bashkë zërat që shohin qartë këtë terr dhe që prej dallimit të territ arrijnë të shquajnë udhën nga ku duhet të dalim.
“Mos ia jep pushtetin atij që e kërkon me zor!”, thotë një fjalë e urtë, duke lënë të kuptohet se ai që bën gjithçka për të marrë një pushtet, nuk e ka problem më pas as të shkelë ligjin, nuk e ka problem as të nëpërkëmbë bashkëqytetarët e vet, pasi ai që ka qëllim vetëm pushtetin nuk njeh kufij në shpërfillje të vlerave. Pikërisht këtë lloj pushteti, që kthen në sistem talljen, poshtërimin, që injoron të ndershmin dhe të drejtin, ne duhet që të mos e lëmë të bëhet standard jetese, të mos e pranojmë që të jetë një normalitet. Kjo është sfida jonë më e madhe me këtë qeverisje që doli nga zgjedhjet si fituese, përpara se të mbetemi pa fjalë përpara fëmijëve tanë, të cilët mund të na konsiderojnë si naivë nëse kërkojmë prej tyre të sillen me vlera, nëse kërkojmë një shtet të së drejtës. Ne duhet të kërkojmë që politika t’i shërbejë qytetarit e jo që ta shohë qytetarin thjesht si “një gjë”, si një numër serial, pa dinjitet, pa të drejtën që të ketë zë për të drejtat e tij.
Ky është terri që na duhet ta zbardhim, përpara se të na zërë një errësirë më e madhe, përpara se e keqja dhe e liga të bëhen ligji i përditshmërisë në kurriz të dinjitetit për veten tonë.

© Panorama.al

Burimi