Kampionati i femrave/ Apolonia nuk fiton dot, Vllaznia shpallet zyrtarisht kampione e Shqipërisë për femra

14

Janë luajtur këtë fundjavë ndeshjet e javës së 19-të të kampionatit të femrave. Një javë e mbushur plot emocione dhe garë, që kurorëzoi ekipin shkodran të Vllaznisë kampione për herë të tetë në futbollin e femrave. Ndalesa e Apolonisë në shtëpi në ndeshjen ndaj Tirana AS dhe fitorja e Vllaznisë në Shkodër ndaj Partizanit, i dhanë shkodraneve titullin kampion edhe për këtë sezon.

Në Fier, Apolonia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 kundër kryeqytetaseve të Tirana AS, në një sfidë të çuditshme, ku të dyja skuadrat shënuan autogol në portat e tyre. Nga ky barazim, përfitoi Vllaznia e vendit të parë, që tashmë e sheh veten 10 pikë larg Apolonisë së vendit të dytë, kur ka edhe tre javë të mbetura për t’u luajtur. Shkodranet fituan në shtëpi ndaj Partizanit, duke i mundur thellë dhe duke përfituar kështu nga gabimi i fierakeve.

Në kryeqytet, Tirana e vendit të tretë bëri detyrën ndaj lushnjareve, të cilat u treguan të pafuqishme në këtë sfidë, duke u mundur me rezultatin 11-0. Lagunaret vazhdojnë të jenë të renditura në vendin e parafundit në kampionat ndërsa Tirana renditet e treta, në ndjekje të Apolonisë së vendit të dytë.

Në Korçë fitouan shkodranet e Juban Danjës. Vajzat e Skënderbeut nuk ia dolën dot të përmbysnin rezultatin, me një ndeshje që filloi që në minutën e dytë që takimit, kur Vasa e Juban Danjës kaloi në avantazh shkodranet. Tre minuta më vonë, do të ishin korçaret ato që do të barazonin rezultatin, por nuk arritën dot ta mbanin rezultatin. Shkodranet shënuan edhe katër herë të tjera në pjesën e parë me Cerkinin, sërish Vasën, Tanushin dhe Cakën, ndërkohë që në pjesën e dytë, korçaret gabuan, duke i falur një tjetër gol. Sfida u mbyll me rezultatin 1-6, me Skënderbeun që vijon të renditet e dhjeta në klasifikim, ndërsa Juban Danja e katërta.

Të dielën, sfida mes Kinostudios dhe AAS përfundoi në favor të kryeqytetaseve, të cilat mundën thellë shkodranet me rezultatin 12-0. Bie në sy pokeri i Docit, tripleta e Lulaj-t dhe dopieta e Xhabrahimit. Kinostudio renditet e gjashta në klasifikim, me 30 pikë të mbledhura në 19 javë kampionat, ndërsa AAS renditet dy pozicione më poshtë, me 15 pikë.

Java u përmbyll këtë të hënë me ndeshjen Teuta-Bilisht Sport që përfundoi me rezultatin 6-0. Bilisht Sport vazhdon të renditet kështu në vendin e fundit në kampionat, me vetëm një pikë të grumbulluar gjatë gjithë sezonit, ndërsa durrsaket në vendin e tetë me 18 pikë.

 

Rezultatet e javës së 19-të:

Vllaznia-Partizani 11-0

Apolonia– Tirana AS 1-1

Skënderbeu– Juban Danja 1-6

Tirana – Lushnja 11-0

Teuta – Bilisht Sport 6-0

Kinostudio – AAS 12-0

 

Renditja pas javës së 19-të:

Vllaznia 57

Apolonia 47

Tirana 43

Juban Danja 40

Tirana AS 38

Kinostudio 30

Partizani  28

Teuta 18

AAS 15

Skëndërbeu 9

Lushnja 4

Bilisht Sport 1



Huazuar nga