“Janë të gjitha provat”, Balla flet për nismën për shkarkimin e Metës: I kërkuam të rikthehet në binarë, ja hapat që do të ndiqen –

11

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, zbardhi detaje nga kërkesa drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, ku u miratua programi i Kuvendit, Balla tha se në kërkesën e PS janë të gjitha provat e nevojshme për të iniciuar procesin e shkarkimit të Presidentit.

Siç sqaroi numri dy i PS, kërkesa e socialistëve, pas shqyrtimit në Kuvend, do të kalojë në Komisionin e Ligjeve, prej ku do t’i hapet më pas rruga ngritjes së Komisionit Hetimor.

“Besoj që jeni vënë në dijeni që prej ditës së premte është institucionalizuar kërkesa e më shumë se ¼ e anëtarëve të Kuvendit, mos gaboj rreth 50 deputetë, të cilët kanë depozituar kërkesën drejtuar kreut të Kuvendit për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit, se ky i fundit para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Duke u nisur dhe nga një rezolutë e mëparshme e Kuvendit që i kërkon presidentit të rikthehet në binarët e përcaktuara nga Kushtetuta, lidhur me ushtrimin e detyrës nga ana e tij, gjë që nuk ka ndodhur, pasi ai ka vazhduar edhe pas kësaj rezolute të kryejë veprime kundër ligjit. Në këtë vështrim, Kuvendi do të shprehet me vendim në ditët në vijim, lidhur me këtë kërkesë, që plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi.

Kjo kërkesë nga ana e kryetarit të Kuvendit do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Ligjeve, që brenda një afati duhet të shprehet nëse kërkesa i plotëson kriteret ligjore e formale e m pas do duhet të ngrihet Komisioni hetimor, për të vërtetuar nëse qëndrojnë dyshimet e ngritura. Besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më 8 korrik. Nuk do doja të bëja asnjë deklaratë tjetër përpara se Komisioni i Ligjeve ta shqyrtojë kërkesën, pasi nuk dua të ndërhyj aspak në mandatin që ka ky komision, por si një prej firmëtarëve besoj se në dokumentin shumë të plotë, që kemi paraqitur, janë të gjitha provat e nevojshme e të domosdoshme, që jo vetëm argumentojnë qëndrimin tonë, por që janë edhe provat e nevojshme për të iniciuar procesin e shkarkimit të Presidentit”, tha Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb



Source link