Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Spekulimet lidhur me ndryshimin e kufijve në Ballkan prishin stabilitetin –

14

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk e ka parë “dokumentin jozyrtar” lidhur me ndryshimin e kufijve në Ballkan për të cilin pretendohet se kryeministri slloven, Janez Jansha ia ka dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Stoltenberg pas takimit që zhvilloi në selinë e NATO-s në Bruksel me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se i ka parë lajmet lidhur me dokumentin jozyrtar (non paper).

“Nuk mund të komentoj rreth një dokumenti që nuk e kam parë. Spekulimet rreth ndryshimit të kufijve shkaktojnë pasiguri dhe rrezik për stabilitetin e rajonit. Çdo spekulim në lidhje me këtë është i padobishëm. Për NATO-n e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e rajonit dhe të Evropës. NATO mbështet stabilitetin e rajonit në mënyra të ndryshme”, tha Stoltenberg, transmeton AA.

Sipas tij, NATO do të vazhdojë të punojë për stabilitetin me anëtarët dhe partnerët në rajon. “Respektimi i dialogut konstruktiv dhe i kufijve të njohur ndërkombëtarisht është rruga më e mirë për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, theksoi Stoltenberg.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb



Huazuar nga