Freedom House: Kosova shënon rënie në nivelin e demokracisë

22

Organizata Freedom House arrin në përfundimin se udhëheqësit e zgjedhur në Evropën Qendrore dhe Lindore po minojnë vetë institucionet që i sollën ata në detyrë, duke refuzuar normat demokratike dhe duke promovuar sisteme alternative të qeverisjes autoritare. Sipas raportit të përvitshëm “Vendet në Tranzicion 2021”që merr në shqyrtim zhvillimet e vitit pararendës dhe që u bë publik të mërkurën, lloji më i zakonshëm i regjimit në Ballkan vazhdon të jetë ai hibrid/demokraci në tranzicion.

Shqipëria dhe Kosova shënuan rënie në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, ndërsa Maqedonia e Veriut shënoi rritje.

Shqipëria që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.82 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.75 pikë.

Kosova këtë vit  shënoi rënie nga 3.18 në 3.14, në ndryshim nga një vit më herët kur ajo kishte pasur ngritje. Ulja është bërë në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.75 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 2.50.

Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin vazhdojnë të jenë të ulëta, 2.50 dhe 2.25 respektivisht, të pandryshuara nga një vit më herët.

Maqedonia e Veriut ishte një nga vendet me përparimin më të madh demokratik në vitin 2020.

“Qeveria e majtë e Kryeministrit Zoran Zaev ka riparuar disa nga dëmet institucionale të shkaktuara nga paraardhësi i tij i djathtë populist dhe ka ende një shans për të vënë në jetë aspektet pozitive të demokracisë”, thuhet në raport.

Duke folur më në përgjithësi për rajonin, në raport thuhet se një histori suksesi është veçanërisht e nevojshme në Ballkan, ku përparimet demokratike janë zmbrapsur në shumicën e vendeve.

“Megjithëse ndodhën transferime të rëndësishme të pushtetit në Malin e Zi në 2020 dhe Kosovë në 2021, është ende e paqartë nëse ato do të çojnë në një përmirësim të institucioneve demokratike. Dhe pa një transformim të tillë institucional, çdo ndryshim politik është jashtëzakonisht vështirë të mbetet i qëndrueshëm”, thuhet në raport.

Në raportin e saj, organizata Freedom House thotë se gjatë “recesionit” aktual të demokracisë në të gjithë botën, shumica e sistemeve demokratike nuk janë shndërruar sa hap e mbyll sytë në regjime autoritare.

Autorët e raportit, duke iu referuar studiuesit të demokracisë, Thomas Carothers flasin për një “zonë gri” e statusit të vendeve hibride.

“Disa vende – të tilla si Kosova, Moldavia ose Ukraina – kanë mbetur në zonën gri për vite me radhë, por të tjerët – veçanërisht Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia – janë riklasifikuar vetëm kohët e fundit si regjime hibride dhe të tjera po shkojnë drejt këtij statusi.”

Në raport thuhet se një tipar karakterizues i regjimeve hibride është se udhëheqësit e tyre vazhdojnë të lejojnë zgjedhje në një farë mase konkurruese.

“Garat nuk janë domosdoshmërisht të lira ose të drejta, por as nuk janë tërësisht mashtrime, siç ndodh në regjimet autoritare. Si pasojë, regjimet hibride mund të kthehen drejt demokracisë përmes kutisë së votimit nëse një numër i mjaftueshëm votuesish janë të gatshëm të mbështesin udhëheqjen e re.

Megjithatë, thuhet në raport, siç ka paralajmëruar politologu Larry Diamond, “ndërsa një fitore e opozitës nuk është e pamundur” në zonën gri, “kjo kërkon një nivel të mobilizimit të opozitës, unitet, aftësi dhe heroizëm përtej asaj që normalisht do të ishte e mjaftueshme për fitoren në një demokraci.

“Vendet në Tranzicion” thotë se në nivele të ndryshme “këto tipare mund të shihen në zgjedhjet e fundit në Kosovë (2019 dhe 2021), Malin eZi (2020) dhe Moldovë (2020), si edhe në komunat e Banja Lukës dhe Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë (2020).

Sipas raportit, në të gjithë këto regjime hibride, opozita politike i tejkaloi pritshmëritë duke larguar pushtetarët./VOA/



Huazuar nga