Vjena “zhbllokohet” më 3 maj

18

Nga java e ardhshme, Vjena do të marrë pakëz frymë më lirshëm. Qendrat tregtare, floktarët dhe të gjitha dyqanet e tjera më pakicë më 3 maj do të hapen përsëri, raporton albinfo.at

Tuesday, 27 April 2021 – 19:55
albinfo.at

Keystone (AP Photo/Ronald Zak)
Pas hapjes së shkollave, Vjena do të ndërmarrë hapin tjetër drejt lehtësimit të masave. Qendrat tregtare, floktoret dhe dyqanet e tjera shërbyese do të hapen më 3 maj. Te floktoret dhe sallonet e tjera të zbukurimit në hyrje do të kërkohet sërish testi negativ i koronavirusit.
Muzetë dhe kopshtet zoologjikë po ashtu do të hapen. Restorantet dhe kafenetë mbesin të mbyllura. Ato do të presin datën 19 maj, kur do të bëhet edhe hapja e të gjithë sektorëve të hotelerisë e gastronomisë në Austri.
Njoftimin për “zhbllokimin” e masave e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Vjenës. Michael Ludwig, pas konsultimeve me ekspertët nga shkenca e fushave të mjekësisë, infermierisë dhe statistikave, shkruan oe24.at.
“Prioriteti im është shëndeti i vjenezëve”, ka thënë ai duke kërkuar nga popullata që vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar veçanërisht në këtë eufori për hapjen e madhe më 19 maj.
Mirëpo ai ka theksuar se situata do të përcillet më vëmendje dhe qeveria e Vjenës do të reagojë sipas numrit të infeksioneve.
Me përfundimin e “bllokimit”, Vjena përcjell rrugën e Austrisë së Ulët dhe të Burgenland, kjo e fundit ka lehtësuar masat që nga java e kaluar. Të tri landet e Austrisë Lindore më një prill patën vendosur një “Bllokim të Pashkëve”, për të cilin patën premtuar shtrëngim të masave vetëm për disa ditë, por që i zgjatën edhe për disa javë të tjera.

LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI

Burimi i lajmit