Rezultat i ngushtë nga votimi

21

ARMAND MERO

Në Shqipëri, fituesi i zgjedhjeve të 25 prillit duket se do të përcaktohet nga një diferencë e ngushtë mes palëve. Të paktën tre Exit poll-e të ndryshme të bëra publike në mbrëmje, në televizionin “Top Channel”, “Euronews Albania” dhe “Ora News”, japin thuajse të njëjtën panoramë, atë të një përballjeje thuajse kokë më kokë mes Partisë Socialiste nga njëra anë dhe Partisë Demokratike dhe koalicionit që ajo drejtoi dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nga ana tjetër. Të gjitha sondazhet konfirmojnë faktin se Partia Socialiste ka mbetur forcë e parë e vendit, por se Partia Demokratike, e cila ka një rikuperim të ndjeshëm të mbështetjes elektorale, së bashku me LSI-në, e cila jepet e tkurrur po ndjeshëm, janë në avantazh. Çështja është se sistemi elektoral proporcional rajonal nuk lejon një përkthim të saktë nga përqindjet në nivel kombëtar, në numër mandatesh në Parlament.
Pak pas publikimit të rezultateve të Exitpoll-eve, kryetari socialist Edi Rama u shfaq, duke saktësuar se rezultati i vërtetë është ai që ndodhet në kutitë e votimit. “Sondazhet, Exit poll-et, pavarësisht se ne na japin forcë qeverisëse, u përkasin arsyetimeve para ndeshjeve. Tani është rezultati i kutive, që është edhe rezultati i ndeshjes”, deklaroi ai. Zoti Rama kërkoi që çdo numërues të kryejë me përgjegjësi detyrën e “të kontribuojë për të numëruar në mënyrë korrekte votat që janë në kuti. Ne nuk duam thjesht rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse, por siç ishte kjo ditë kaq e bukur, kaq qytetare, falë sjelljes demokratike të të gjithëve, duhet të jetë dhe numërimi i procesit dhe nga ky proces, duhet të dalë e fituar Shqipëria”
Nga ana e tij, edhe kryetari demokrat, Lulzim Basha, nuk e fshehu optimizmin. “Fale minderit gjithë qytetarëve të Shqipërisë që zgjodhën ndryshimin. Kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar, një fitore e qartë për Aleancën për Ndryshim”, u shpreh zoti Basha, i cili gjithashtu nënvizoi se “vullneti i popullit është në kutitë e votimit. Kam besim të plotë se komisionerët dhe numëruesit do ta menaxhojnë procesin me përgjegjësi dhe durim dhe sipas ligjit. Siç kam thënë në fillim të fushatës, në fund të këtij procesi Shqipëria fiton”, theksoi zoti Basha.
Nëse dhe procesi i numërimit konfirmon panoramën e Exit poll-eve, atëherë procesi i numërimit do të jetë një betejë deri në fletën e fundit të votimit.
Deri pak para mesnatës kishte nisur numërimi i vetëm një qendre votimi. Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpjegoi se është në përfundim procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore në vendet e numërimit. Ai deklaroi se procesi i numërimit duhet të vazhdojë pa ndërprerje, pasi nuk ka asnjë arsye. Sipas zotit Celibashi, rezultati do të duhet të dalë brenda 48 orëve. * VOA

© Panorama.al

Burimi