Hoxhaj: Qeveria Kurti i braktisi qytetarët në krizën me pandeminë

19

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj në seancën e Kuvendit ku po debatohet për pandeminë, ka thënë se ka qenë e udhës që këtë seancë ta ftonte Qeveria e jo opozita, sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme do të duhej ta kuptonte drejt se beteja me pandeminë nuk është betejë politike por betejë shëndetësore.

“Kur unë e kam takuar kryeministrin në ardhje Kurti ka thënë se do të bashkëpunonte me opozitën në pesë tema: dialogu, siguria nacionale, pandemia, arsimi dhe energjetika dhe sot nuk e shoh kryeministrin kur ne flasim për pandemi”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se kryeministri do të duhej të na njoftonte se çfarë hapash janë ndërmarr për sigurim të vaksinës.

“Kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar t’i siguroj vaksinat, por nuk po shohim një plan konkret sesi do t’i sigurojnë vaksinat. Qytetarët e Kosovës po humbin jetën, dhe kush e merr vaksinën është e rëndësishme”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka kritikuar Kurtin se i ka braktisur qytetarët në kohën kur ata po ballafaqohen me pandeminë dhe nuk po merret sigurimin e vaksinave.

“I nderuar kryeministër Kurti ke qenë shumë aktiv në përsiatjet tua gjatë këtij muaji, por tërësisht pasiv sa i përket përgjegjësive që ke. Nuk jam këtu që të flas për veprimet tua politike, për të cilat do të të gjykojnë qytetarët, por jam këtu për të të thënë se qytetarët që ti i ke braktisur, sot po ndihen të vetmuar, të braktisur, pa adresë e pa mbështetje përballë COVIDit. Sepse ata e kanë parë se qeveria e tyre, ka prioritete tjera. Sepse nuk ka ndodhur askund, e më së paku është dashur të ndodhë tek ne, që kryeministri, shtetasit e të cilit për çdo ditë po humbin jetën si pasojë e pandemisë, të merrej me zgjedhjet në një vend fqinj, kur nuk ka zgjidhur as edhe një çështje elementare që i duhet sot Kosovës dhe qytetarëve të saj”, u shpreh Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se po të mos ishte ndihma e shteteve mike, sa për Kurtin as edhe këto 25 mijë vaksinat që tashmë janë dhënë, nuk do të kishin arritur.

“Për një kryeministër të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, nuk do të duhej të kishte prioritet më të madh sot për sot, sesa për ta nxjerrë Kosovën nga kjo hartë e dështimit përballë pandemisë. Shihni vendet e rajonit. Shihni Shqipërinë që prinë në Ballkan. Maqedoninë që nuk po i ndalë përpjekjet. Malin e Zi. Kroacinë. Vetëm Kosova dhe Bosnja kanë mbetur në këtë pjesë të Evropës pa siguruar qoftë edhe një vaksinë të vetme. Kjo e bën dallimin mes asaj që ju ligjëroni se do të ndodhë, me atë që po ndodhë konkretisht. Këtu po flasin faktet e jo dogmat. Ku është përgjegjësia juaj kryeministër”, tha Hoxhaj.

Në fund Hoxhaj i tha Kurtit se nuk mund të mashtroni qytetarët me uljen e testeve e me konferenca shtypi, sepse sot nuk po flasim për statistika por për jetë njerëzish. /Telegrafi/



Huazuar nga