“Nuk u bë qameti që ika deri në Elbasan”, Meta tregon ku do të qëndrojë sonte: Shqiptarë, tregojeni fuqinë tuaj me votë! –

12

Nga Sheshi i Flamurit, në Vlorë, Presidenti Ilir Meta dha mesazhin e fundit para mbylljes së procesit të votimit, ku iu bëri thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë edhe këto minuta për të votuar.

Kreu i Shtetit tha se qytetarët duhet të votojnë masivisht për integrimin e Shqipërisë në BE, por edhe për të kthyer legjitimitetin në vend.

“Kam një mesazh për gjithë qytetarët e Shqipërisë. Pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje. Tregoni se e keni kuptuar fuqinë e votës suaj. Të ndërtojmë një të ardhme të sigurt në Vlorë. Është e domosdoshme që kjo ecuri e mrekullueshme e ditës së sotme të vazhdojë kështu, deri sa të mbyllet procesi i votimit. I ftoj të gjithë qytetarët që të kryejnë një detyrim dhe të mos harrojnë se për votën e lirë, sa shumë njerëz janë martirizuar. Kjo është një domosdoshmëri për të ardhmen e Vlorës, të Shqipërisë, të fëmijëve tanë këtu në Vlorë, në Shqipëri. Besoj që pjesëmarrja shumë e lartë në të gjithë vendin, do të vijojë. Vlora ka të gjitha mundësitë të vazhdojë të japë kontributin e saj, si alternativa më e mirë për të ardhmen.

Të nisim një epokë të re në Shqipëri, atë të shenjtërimit të votës, të barazisë së saj dhe të kuptimit se sa e rëndësishme është vota. Nuk mundet kurrë një qytetar nesër të kërkojë llogari, nëse nuk voton. E drejta fillon te vota dhe kjo është e domosdoshme, ndaj të gjithë duhet ta ushtrojnë këtë. Vlora ka qenë, është dhe do të jetë edhe më shumë pas kësaj dite, Vlora me të cilën krenohen të gjithë shqiptarët, sepse duhet të jetë Vlora, e cila në një moment historik do të thotë fjalën e saj. Unë kam shumë besim te Vlora. Ky është sheshi i gjithë shqiptarëve, jo vetëm i Vlorës, ndaj e zgjodha për të dhënë mesazhin e fundit për pjesëmarrjen. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, dhe unë jam më shumë optimist, aq më shumë do të shtohen shanset për të çelur shumë shpejt negociatat për integrimin. Prokuroria e Policia të hetojnë cdo krim, që ka ndodhur deri ditën e djeshme”, tha Meta.

I pyetur nëse do ta dekretojë qeverinë e re, Meta u shpreh se “Për mua është e rëndësishme të fitojë Shqipëria. I ftoj të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e këtij qëllimi madhor. Për ata që s’kanë votuar ende, si mund të mungojnë në këtë moment, në të ardhmen e fëmijëve të tyre? Ndaj kemi mbetur pas ne. Vetëm pjesëmarrja e madhe dhe mbarëvajtja e këtij procesi deri në fund, do na bëjë të mundur të çelim rrugën tonë drejt Evropës, që e kemi të bllokuar, por edhe të fitojmë kohën e humbur. Ne jemi një popull 100% evropian”.

Ndërkohë, interesit të gazetarëve se a do të vijojë të qëndrojë në Vlorë sonte, Presidenti iu përgjigj: “Patjetër! Bëhet qamet se vajta deri në Elbasan dhe erdha sërish në Vlorë? Për mua ka rëndësi që cdo qytetar i Shqipërisë të tregojë respekt për veten e tij dhe që e njeh fuqinë e tij, që është vota. Të japë kontributin e tij për të ardhmen evropiane të vendit, por edhe që të vendoset legjitimiteti”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb



Source link