Gjendet nëndetësja e fundosur në Detin e Balit

18

02:55 26/04/2021
Ushtria e Indonezisë tha të shtunën se nëndetësja me 52 anëtarë ekuipazhi që u zhduk në det javën që shkoi u gjet e fundosur dhe e dëmtuar rëndë në detin e Balit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën mbeturinat që pluskonin në vendndodhjen e fundit të anijes, duke i dhënë fund shpresës për gjetjen e ndonjë të mbijetuari.
Duke folur para gazetarëve në Bali, shefi i shtabit të Marinës indoneziane, Admirali Yudo Margono, tha se “me dëshmitë autentike që kemi gjetur, të cilat besohet se janë nga nëndetësja, kalojmë nga faza e zhdukjes së nëndetëses në fundosjen e saj”, duke shtuar se provat e para nuk tregojnë se fundosja e anijes u shkaktua nga ndonjë shpërthim.
“Çarjet ndodhën në mënyrë graduale në disa pjesë kur nëndetësja po ulej nga 300 metra në 400 dhe 500 metra. … Nëse do të kishte një shpërthim, do të dëgjohej nga sistemi i transmetimit të zhrumave nën ujë”, tha Margono.
Shefi i operacioneve detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Admirali Mike Gilday, tha se u trondit kur mori lajmin e fundosjes së nëndetëses. Në një deklaratë të shtunën ai tha se “si detarë, ne ndajmë dashurinë për detin dhe kemi lidhje miqësie me të gjithë ata që lundrojnë në të. Respektojmë rreziqet e tij dhe gjithashtu kuptojmë rëndësinë e oqeaneve të botës për mënyrën tonë të jetesës kolektive”.
Zoti Gilday ritheksoi se Indonezia është vend mik dhe partner i Shteteve të Bashkuara. “Përkundër kësaj humbjeje tragjike”, tha ai, “shpresoj se do të vazhdojmë të veprojmë së bashku në mbështetje të një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur”.
Ende është i paqartë shkaku i zhdukjes së nëndetëses, pasi ekspertët nga Indonezia dhe vende tjera janë në proces të vlerësimit të provave.
Flota detare e Indinezisë kishte deklaruar më herët se një difekt elektrik mund t’ia ketë bërë të pamundur nëndetëses ekzekutimin e procedurave të urgjencës për të dalë në sipërfaqe./VOA
Për rezultatet paraprake të zgjedhjeve 2021 vizitoni rezultatet.tvklan.al

Linku i Huazuar