Kursi “UEFA Football Doctor Education”, profesor Giuseppe Vercelli mes lektorëve

16

Federata Shqiptare e Futbollit vijon të organizojë kurse të ndryshme formimi për të gjitha profesionet e reja që lidhen me botën e futbollit. Më datë 27 prill vjen për herë të parë kursi 3 ditor “UEFA Football Doctor Education” i organizuar në një program që mbulon aspektet themelore të mjekësisë sportive të futbollit, duke ndjekur udhëzimet e kërkuara nga UEFA. Ky kurs do të udhëhiqet nga Sektori i Mjekësisë Sportive në FSHF dhe është mjaft i dobishëm për doktorët sportivë dhe për fizioterapistët.

Një emër shumë i rëndësishëm bëhet pjesë e këtij kursi si lektor. Bëhet fjalë për Giuseppe Vercelli-n, psikolog dhe psikoterapist. Vercelli është lektor në kursin e Psikologjisë Sportive në Universitetin e Torinos, me eksperiencë paraardhëse në Universitetin Bocconi të Milanos.

Gjithashtu, përgjegjës i sektorit të psikologjisë pranë skuadrës së Juventusit dhe në Institutin Superior të Edukimit Fizik në Torino, Vercelli njihet edhe për publikimet dhe shkrimet shkencore që ka bërë mbi këtë temë.

Në ditën e parë të kursit do të trajtohen çështje si parandalimi i aksidenteve, rehabilitimi prej aksidenteve, rregullat anti-doping e njohja e listës së barnave si edhe psikologji sportive.

Në ditën e dytë fokusi do të jetë te kontrolli mjekësor sportiv i lojtarëve të futbollit; shfaqja kardiologjike dhe prezantimet e patologjive kryesore të lojtarëve, parimet e përgatitjes fizike të lojtarëve në ekipin kombëtar dhe në klube si edhe mjetet e kontrollit të lodhjes dhe rikuperimit të lojtarëve.

Në ditën e fundit do të diskutohet rreth të ushqyerit sportiv dhe suplementet, traumat në kokë dhe tronditjet dhe parimet e ndihmës së parë.

Në përfundim të kursit, të gjithë pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një testi vlerësimi dhe do të pajisen me certifikatë.

Kursi do të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Air Albania”, Tiranë.

Nëse jeni të interesuar për të marrë pjesë në këtë kurs, dërgoni një e-mail në adresën: [email protected]



Huazuar nga