​AAK fton në interpelancë ministrin Murati, shkak ulja e shtesave për pensionistët

15

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti, ju ka bërë padrejtësi të madhe pensionistëve, të cilët janë kategoria shoqërore që rrezikohen më së shumti nga COVID-19.

Tahiri përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se AAK fton në interpelancë ministrin Murati, shkak ulja e shtesave për pensionistët.

“Javën e kaluar ishim dëshmitarë të një padrejtësie që iu bë pensionistëve nga Qeveria e Kosovës. Nuk mjaftoi paaftësia për t’i siguruar vaksinat për ta, ku kjo kategori shoqërore janë kategoria më e rrezikuar nga COVID-19. Për ta rënduar edhe më tej gjendjen e tyre, tani edhe në aspektin financiar përveç atij shëndetësor, kjo qeveri paturpësisht vendosi që t’i ulë shtesat e pensioneve për ta për 1/3 nga shtesa e merituar nga qeveria e kaluar. Ky vendim e dëmton tej mase gjendjen e pensionistëve, që njihet si kategoria me gjendjen më të rëndë sociale”, u shpreh Tahiri.

Tahiri ka treguar se Aleanca fton në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim zhgënjyes.

“Të shtyrë nga gjendja e tyre e rëndë, por dhe nga bisedat me ta ku ndihen të mashtruar dhe të zhgënjyer me këtë qeveri, Grupi Parlamentar i AAK-së do ta ftojë në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave, Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim zhgënjyes. Përveç që është jonjerëzore, është mashtrim që të marrësh vota me premtime për rritje të pensioneve, e t’i ulësh ato që në ditët e para të qeverisjes’, ka shkruar Tahiri. /Telegrafi/



Huazuar nga