Në Qershor Biden viziton Britaninë dhe Belgjikën

10

23:51 23/04/2021
Presidenti amerikan, Joe Biden, në muajin qershor do të shkojë në Britaninë e Madhe dhe Belgjikë, në vizitën e parë të tij jasht vendit që nga marrja e detyrës më 20 janar.
Njoftimi u bë nga Shtëpia e Bardhë. Udhëtimi synon të pasqyrojë “angazhimin e presidentit amerikan për të punuar ngushtë me aleatët tanë dhe për të rivendosur aleancat si dhe ringjallur marrëdhëniet transatlantike”, tha Sekretarja i Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Në Kornuall të Britanisë së Madhe ai do të marrë pjesë në takimin e G-7-ës, që e përbëjnë vendet më të zhvilluara të botës. Vendet e G7-ës janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Japonia, Britania, Franca, Kanadaja dhe Italia.
Më pas ai do të vizitojë Brukselin, ku do të marrë pjesë në një takim të udhëheqësve të NATO-s më 14 qershor si dhe në një samit mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ne kemi shumë për të bërë së bashku, duke filluar nga ndryshimi i klimës tek shëndeti, nga tregtia dhe multilateralizmi si dhe sfidat gjeopolitike”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Twitter.
Ende nuk është caktuar data e saktë e mbajtjes së samitit BE-SHBA.
Më 25 maj udhëheqësit e BE-së do të mbajnë gjithashtu një samit në të cilin është paraparë të diskutohet për menaxhimin e pandemisë dhe tensionet me Rusinë./REL

Linku i Huazuar