MANIPULIMI JUGOSLLAV ME DIBRËN: Komunizmi që preku edhe mbiemrat

33

“Familja jonë, e cila ka ardhur në qytet para më shumë se 200 vitesh, i takon fisit Beça. Ne si familje faktikisht e kemi këtë mbiemër – Beça dhe jo Vojnika siç na e ka vënë sistemi Jugosllav, gjithmonë për çështje politike. Qëllimi i ndryshimit të mbiemrave pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë manipulimi me dibranët, se gjoja këta me mbiemra të toponimeve të fshatrave janë banorë ardhacak në Dibër”, tregon dr. Ferit Vojnika

Vjollca SADIKU

Dibër, prill – Në qytetin e Dibrës, kur bëhet fjalë për mbiemrat që ka mbajtur dhe mban popullata pas Luftës së Dytë Botërore, dominante janë mbiemrat e fshatrave të Krahinës së Dibrës. Por siç tregojnë dibranët, dominimi i mbiemrave me toponimet të fshatrave kryesisht ka qenë për shkaqe politike të inicuar nga sistemi jugosllav i atëhershëm. Në Dibër, prezent janë edhe mbiemrat e fiseve, profesioneve, gjyshërve, por tashmë kryeson prania e toponimeve fshatare. Sipas dibranëve të moshuar, pas Luftës së Dytë Botërore – gjatë marrjes së dokumenteve në ish shtetin Jugosllav, shërbimet e institucioneve përkatëse kryesisht kanë preferuar që mbiemrat ti vendosin sipas toponimeve të fshatrave nga kanë ardhur dhe siç i kanë patur deri atëherë. Kështu, në këtë kohë “vërshojnë” në dokumentet e shumë dibranëve toponimet e fshatrave Bllata, Maqëllara, Vojnika, Pocesta, Kërçishta, Klloboçishta, Popinara, Allajbegu, Majtara, Trebishta, Ostreni, Dobrova… fshatra këto që me ndryshimin e kufijve, kanë ngelur në anën tjetër të kufirit – në Shqipëri, edhe pse qyteti i tyre ka qenë Dibra.

Ai shton se politika antishqiptare ato vite ka qenë e fuqishme dhe në ato plane të sistemit komunist. Por, dr. Ferit Vojnika thekson se argumentet flasin të kundërtën vet. “A ka qytete pa fshatra, po ku janë fshatrat e Dibrës. Kufiri që është vendosur ndau fshatrat e Dibrës me qytetin e tyre. Prandaj edhe tezat antishqiptare i kanë futur në lojë toponimet e fshatrave”, thotë Vojnika.

Anëtarët e familjes Klloboçishta, të cilët sot janë në Dibër, mbiemrin e tyre dikur e kanë patur Miftari. Pas Luftës së Dytë Botërore, meqë prejardhja e tyre është nga fshati Klloboçisht – që gjenet në afërsi të kufirit në anën e Shqipërisë, nga institucionet komuniste në Dibër pa i pyetur kanë marrë mbiemrin e fshatit. Ashtu të gjithë familjes e fisit Miftari sot mbajnë mbiemrin Klloboçishta. Historiani i njohur dibran, Ramadan Imeri, thekson se ndryshimi i mbiemrave në kohën e Jugosllavisë ishte një manipulim politik. “Sistemi komunist me këto aktivitete ka pas për qëllim të tregoj, sipas tyre, se popullata në qytetin e Dibrës në pjesën më të madhe është e ardhur dhe shqiptarët autokton në qytet janë pakicë”, thotë Imeri, ndërsa shton se Dibra gjithmonë gjatë historisë ka qenë një qytet dhe një krahinë autoktone shqiptare. Më të moshuarit në Dibër tregojnë se ndryshimet e mbiemrave me toponime fshatare tregojnë presionet politike që kanë qenë prezent në rajonin e Dibrës. Edhe pse krahina e Dibrës është një krahinë e madhe, vetëm qyteti i Dibrës ka mbet i ndarë nga fshatrat që dikur ishin pjesë e saj. Sot, pjesa më e madhe e fshatrave kanë mbetur në anën tjetër të kufirit.  (koha.mk)