Dibër – Rritet interesimi për sigurime, shkak tërmetet

29

“Në bisedat me banorët, të cilët kanë siguruar pasurinë e tyre, jam informuar se një ndër shkaqet kryesore për të siguruar pasuritë e tyre janë dridhjet e shpeshta të tokës gjatë muajve të fundit. Tërmetet që kanë epiqendrën rajonin e Mavrovës janë ndjerë fuqishëm edhe në territorin e Dibrës. Por, rritja e numrit të personave që sigurojnë pasuritë e tyre ka filluar qysh nga tërmeti i fuqishëm që ndodhi në Durrës”, thotë Bleron Pilku nga kompania “Grave Macedonia” në Dibër

Vjollca SADIKU

Dibër,  prill – Kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Dibër dhe rajonin më të gjerë informojnë se kohëve të fundit – kryesisht për shkak të tërmeteve të shpeshta, ka rritje të interesimit për të siguruar shtëpitë, banesat, por edhe objektet tjera afariste. Tërmetet e shpeshta dukshëm kanë frikësuar dibranët për pasurin e tyre, thonë përfaqësuesit e kompanive të sigurimit dhe shtojnë se deri vonë, interesimi për sigurim të pasurisë, por edhe të personave – nuk ka qenë në nivelin e duhur.

Eksperti për sigurime, Bleron Pilku nga kompania “Grave Macedonia” në Dibër, konfirmon faktin se tërmetet kanë rritur interesimin për sigurimin të objekteve të banimit, por edhe objekteve afariste. Ai shton se muajt e fundit – dibranët në një numër të madh kanë siguruar shtëpitë e tyre, banesat, dhe dyqanet të cilët i disponojnë në Dibër. “Në bisedat me banorët, të cilët kanë siguruar pasurinë e tyre, jam informuar se një ndër shkaqet kryesore për të siguruar pasuritë e tyre janë dridhjet e shpeshta të tokës gjatë muajve të fundit. Tërmetet që kanë epiqendrën rajonin e Mavrovës janë ndjerë fuqishëm edhe në territorin e Dibrës. Por, rritja e numrit të personave që sigurojnë pasuritë e tyre ka filluar qysh nga tërmeti i fuqishëm që ndodhi në Durrës”, thotë bashkëbiseduesi jonë nga kompania “Grave Macedonia”. Bleron Pilku po ashtu sqaron se përveç objekteve për banim, dibranët tashmë po sigurojnë edhe pajisjet shtëpiake – kryesisht teknikën e bardhë. Biseduam edhe me përfaqësues të kompanisë për sigurime “Euro Link” që vepron në Dibër.

“Kohëve të fundit, pas tërmeteve që u ndjenë edhe në rajonin tonë, dibranët vijnë në kompani dhe bëjnë sigurimin e pasurisë të tyre”, thotë Xhetan Tan Capa dhe shton se aktualisht ka një interesim të vazhdueshëm për sigurimin. Edhe pse rritet interesimi për sigurimin të objekteve për banim dhe afarist, sigurimi personal i dibranëve vazhdon të jetë i ulët. Në kompanitë në fjalë thonë se me kohë pritet që edhe ky interesim të rritet, meqë jeta është dinamike, prandaj edhe qytetarët tanë nga dita në ditë e kuptojnë nevojën për t’u siguruar. Kur jemi tek sigurimi i automjeteve, po ashtu ngec sigurimi i kasko sigurimeve. Në bisedën me përfaqësuesit e kompanive, u informuam se në këtë drejtim, ndikon aspekti material, meqë sigurimet e këtilla janë me kosto më të lart. (koha.mk)