Dibër – Kodra e Bejlerëve, pa bejlerë

32

Sikur kalonin vitet, tregon Mustafa Skiluli, ashtu zhdukeshin shtëpitë e bejlerëve, por edhe vet Kulla. Kulla ka qenë e ndërtuar që gjatë perandorisë osmane dhe i ka patur të gjitha karakteristikat e kullave të rrethit të Dibrës. “Sot nuk kanë ngelur as gurët e kësaj kulle, pasi të njëjtat kanë përfunduar në objekte tjera banimi, por edhe në objektet e institucioneve që janë ndërtuar në qytet pas Luftës së Dytë Botërore”, tregon Skikuli

Vjollca SADIKU

Dibër, prill – Dibra dekadat e fundit për fat të keq ka patur probleme politike dhe shumë objekte kombëtare të ndërtuara shekuj më parë janë të rrënuar. Ashtu ndodhi edhe me Kullën e Bejlerëve që gjendej në Kodrën e Bejlerëve, por që sot nuk ekziston. Në këtë pjesë të bukur të Dibrës, kur dikur kanë jetuar bejlerët e Dibrës, tashmë kanë ngelur vetëm disa gurë të themeleve të shtëpive. Kodra e Bejlerëve shpeshherë gjatë historisë është përmendur nga historianët, pikërisht për jetën e bejlerëve dhe lokacionin ku ata kanë jetuar. Është një kodër nga ku duket i gjithë qyteti i Dibrës. Vizituam këtë kodër dhe nga shtëpitë e vjetra – kanë ngel disa themele, por nuk ka ngelë asgjë nga Kulla e famshme e bejlerëve. Dikur familjet që kanë jetuar në këtë kodër të Dibrës janë dalluar për jetën e tyre, por edhe ndikimin që kanë patur në qytet.

Tani kur Kodra e Bejlerëve ka ngelë pa bejlerë, por edhe pa karakteristikat e saj, ajo është e banuar nga familjet e ardhura nga fshatrat e afërta. E njëjta ka ndodh edhe me Kodrën e Kasapit, meqë pas tërmetit katastrofal që ndodhi në Dibër në vitin 1967, familjet dibrane në pjesën më të madhe të tyre ndërtuan shtëpitë e tyre në pjesën fushore të qytetit. Një pjesë tjetër ka migruar në SHBA dhe shtete tjera të Evropës. Duhet theksuar edhe faktin se historia e vjetër e Dibrës lidhet tërësisht me pjesën e epërme të qytetit ose siç e quan popullata – pjesa e vjetër. Në pjesët tjera të Dibrës të vjetër, përveç Kodrës së Bejlerëve dhe Kodrës së Kasapit, kanë qenë edhe vendbanimet “Varoshi”, “Buduleci” dhe “Shaveci”. Pikërisht në këtë pjesë të qytetit kanë funksionuar edhe institucionet arsimore të para dhe ka patur edhe objekte të tjera të sistemeve të kaluar. Sot, nga këto objekte nuk kanë ngelur as themelet e tyre.

Mustafa Skikuli thotë se, për fat të keq, tashmë janë rrënuar të gjitha objektet nga e kaluara. “Asgjë nuk ka mbetur kur janë në pyetje objektet nga e kaluara”, thotë ai dhe shton se në pjesën më të ulët të qytetit, kanë ngelur objektet fetare siç është xhamia e Hynqarit dhe Teqes, si dhe Amami i ri i qytetit. “Amami i vjetër është duke u rrënuar nga dita në ditë”, thotë Skikuli. Situata të shumta shoqëroro-politike në të kaluarën e kanë lënë qytetin e Dibrës pa shenjat e tij kulturore-historike. Përveç Kullës së Bejlerëve, më nuk ekziston as edhe Kulla e Dacave dhe objekte shumë domethënëse për të kaluarën e Dibrës. Janë rrënuar shumë shtëpi me arkitekturë të vjetër dhe objekte të tjera fetare. Nuk ekziston asnjë nga katër teqetë e njohura, por as xhamia dhe Sahat kulla e njohur e Dibrës, e cila ka qenë në qendër të qytetit e të cilës i është vënë zjarri pas Luftës së Dytë Botërore. Prandaj shpeshherë dibranët e përdorin thënien: “Na ishte njëherë një Dibër me kulla”. (koha.mk)