Reagon Abdixhiku: Dështimi në sigurimin e vaksinave nuk guxon të zëvendësohet me sulm e kërcënim ndaj mediave

8

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar pas inicimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, kjo pas publikimit të një informate të premten sipas të cilës ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka neglizhuar nënshkrimin e kontratës me kompaninë amerikane për furnizim me vaksina anti-COVID Pfizer dhe BioNetch.

Abdixhiku përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se dështimi në sigurimin e vaksinave nuk guxon të zëvendësohet me sulm e kërcënim ndaj mediave.

Sipas tij, e vërteta është interesi i vetëm publik.

“Dështimi në sigurimin e vaksinave nuk guxon të zëvendësohet me sulm e kërcënim ndaj mediave. E vërteta është interesi i vetëm publik. Mediat kanë për detyrë të nxjerrin këtë të vërtetë; pushteti – që i ka krejt – ka për obligim t’i gjejë vaksinat. Fjalë e arsyetime kemi pasur plot. Punë s’po shohim dot. Kërcënimi s’është punë; e as që bën punë”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, kreu i LDK-së po ashtu tha se në një muaj qeverisje 293 qytetarë kanë vdekur nga COVID-19.

“Dobët, dobët shumë. 1 muaj qeverisje. 293 kosovarë të vdekur. 0 vaksina. Kjo është e vërteta. Në këtë të vërtetë të dhimbshme duhet të fokusohet energjia e pushtetit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. /Telegrafi/



Huazuar nga