Policia e Kurbinit godet një tjetër rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Operacioni policor anti-kanabis i koduar “Gjormë 2021” zbuloi brenda një magazine, një ambient të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.
Sekuestrohen një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 24 vjeç, banues në Katund i Ri, Kurbin, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi E. S., 41 vjeç, banues në Kurbin.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo.
Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit V. H. është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar.