Varianti britanik i koronavirusit dominon në Shtetet e Bashkuara

12

21:50 08/04/2021
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara thotë se varianti B.1.1.7. i koronavirusit, i diktuar për herë të parë në Britani në Dhjetor të vitit të kaluar, është bërë varianti dominant i infeksioneve në Amerikë.
Agjencia federale për parandalimin e sëmundjeve CDC e kishte parashikuar që në Janar se ky variant do të dominonte nga muaji mars ndër infeksionet e reja pasi është më ngjitës se varianti origjinal.
“Virusi ende na ka nën kontroll, pasi vazhdon të infektojë dhe kërcënojë shëndetin e popullatës. Duhet të jemi vigjilentë,” tha drejtoresha e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky gjatë një seance informimi dje në Shtëpinë e Bardhë.
Kohët e fundit Shtetet e Bashkuara kapërcyen shifrën e 30 milionë personave të diagnostikuar në total me koronavirus, nga të cilët sëmundja ka shkaktuar vdekjen e mbi 559 mijë vetëve. Me këto shifra, Shtetet e Bashkuara kryesojnë në të dyja kategoritë në shkallë globale./VOA

Linku i Huazuar