Dyqind e shtatëdhjetë kilometra muze. Për çfarë?

16

ORNELA ÇUÇI

Së paku prej dy vitesh, dis kursi publik mbi mjedisin po përqendrohet te lumi  Vjosa. “Vjosa Park Kombëtar”, thonë parullat në rrjetet sociale dhe mjaft është përkrahur ky slogan edhe përtej Shqipërisë. Por çfarë do të thotë kjo për vetë luginën e Vjosën e për më tepër për banorët rreth saj? Ne po duam ta konservojmë Vjosën, por po anashkalojmë faktin se na duhet një vlerësim i dëm-përfitimit para se të vendosim, thjesht sepse kemi nevojë për ta futur atë në ngrirje. Kush nuk do të donte të ishte aq i pasur sa të ruante 270 km muze natyror për ta shijuar Vjosën në më të bukurën e vet?! Por është një luks që nuk e kemi.
Parku kombëtar është territori në këtë status, në përdorim për qëllime konservimi.
Këtë citon ligji i ri i zonave të mbrojtura i vitit 2017, duke i dhënë një dimension të ri shpalljes, menaxhimit, mënyrës së zonimit të brendshëm dhe ruajtjes së tyre. Shpallja e një zone si park natyror nuk lidhet vetëm me ndalimin e planeve për ndërtimin e HECeve, por kryesisht me vlerat e natyrës që një qeveri duhet të mbrojë. Në këtë kuadër ka kufizime të caktuara për sa u përket shfrytëzimeve intensive apo tjetërsimit të habitateve natyrore, qoftë edhe nga banorët që jetojnë në një zonë të tillë.
Mbrojtja e mjedisit shpesh bëhet pjesë e debateve politike aq sa edhe atyre populiste, pa sens e pa e prekur fare esencën e problemit, jetën e njerëzve që jetojnë anës Vjosës. Ata që e mbrojnë idenë e konservimit, mbase edhe pa e ditur se çfarë konkretisht po mbrojnë, nuk janë në gjendje të përcaktojnë peshën e rëndësisë së kthimit të luginës së Vjosës në një muze. Konservimi i kësaj lugine, duke e shpallur atë si park kombëtar në tërësinë e vetë, do të kthente së paku banorët e katër qyteteve si vizatime përreth lumit. Përmeti, Këlcyra, Tepelena e Memaliaj, për të mos folur për fshatrat e shumtë, do të jetojnë thjesht dhe vetëm me dëshirën e të tjerëve, që kurrë më parë, nuk e kanë shijuar Vjosën.
Park Kombëtar do të thotë konservim i Vjosës, konservim edhe i të drejtës së banorëve rreth luginës së saj për ta shfrytëzuar atë për zhvillim të bujqësisë, eko e agroturizmit.
Nga kjo pikëpamje, lugina e Vjosës sot është Park Natyror në të gjithë shtrirjen e vet përgjatë territorit shqiptar. Pas studimit të bërë me ekspertë të huaj në vitit 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) miratoi hartën e re të sistemit të zonave të mbrojtura, e cila përmban katër nga kategoritë kryesore të miratuar me ligj. Kjo përbën sot 21% të territorit të vendit, kur mesatarja botërore është 15,4% të pjesës tokësore dhe në Europë është 13.44% e territorit. Kjo e bën Shqipërinë ndër vendet me sipërfaqe të zonave të mbrojtura më të mëdha në rajon.
Në rastin e Vjosës, ekspertët kishin propozuar vetëm pjesën e parë të lumit, deri në Memaliaj, duke pasur parasysh që pjesa e fundit e lumit është pjesë, aktualisht zonë e mbrojtur si e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Kategoria Park Natyror, të cilin qeveria i ka dhënë aktualisht Vjosës, lidhet me mbrojtjen e habitateve natyrore dhe specieve që ndodhen në shtratin e tij. Kjo kategori lejon në mënyrë më të drejtë ruajtjen dhe menaxhimin e burimeve natyrore për zhvillimin e zonës, duke pasur parasysh që kalon në 4 qytete (Përmet, Këlcyrë, Tepelenë dhe Memaliaj), shumë fshatra, ka një bujqësi intensive në krahët e shtratit lumor në pjesën e Mallakastrës dhe ka disa ndërhyrje mbrojtjeje në pjesën e fundit për shkak të përmbytjeve që shkakton.
Qeveria shqiptare ka një fokus të veçantë drejt mjedisit, duke e konsideruar natyrën si asetin më të vyer që kemi. Shqipëria, pavarësisht se nuk përmendet, ka sot tre lumenj që i mbron nga fillimi në fund. Përveç Vjosës, Lumin Buna si pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Bunë-Velipojë, dhe Lumin e Shalës, i cili buron nga Alpet dhe me një gjatësi prej 37 km zbret poshtë nëpër luginën e Shalës, deri në derdhjen e tij në Drin (liqeni Koman). Edhe këto, pavarësisht se nuk kanë pasur fondet e shoqatave për studimin e tyre, strehojnë vlera shumë të larta të biodiversitetit në vendin tonë.
Mjedisi është dhe do të vazhdojë të jetë një çështje mbi të gjitha ekspertize mjedisore. Populizmat veçse e dëmtojnë atë. Ekspertët, ata që janë marrë me studimin e zonave të mbrojtura në vend, kanë propozuar ta mbrojmë Vjosën si zonë të mbrojtur vetëm në disa pjesë. Dhe gjykimi i tyre është si ekspertë të mjedisit, jo të banakëve mediatikë.
Qeveria shqiptare ka shkuar edhe më tej, e ka shpallur gjithë luginën e Vjosës si Park natyror. Konservimi i plotë i Vjosës si një muze natyror nuk i shërben askujt, aq më pak djemve e vajzave të Vjosës.

© Panorama.al

Burimi