Deri në 300 euro për një refugjat/ 4 durrsakë arrestohen në Elbasan

7

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Rrezja 1”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Nga ky operacion janë arrestuar 4 shtetas, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Siç raporton vetë Policia, bëhet fjalë për shtetasit: Xh. D., 29 vjeç, R. D., 23 vjeç, J. M., 22 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, të katërt banues në Durrës.

Ndërsa janë shpallur në kërkim policor shtetasit A. S., 40 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, të dy banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetasit G. S. dhe A. D. (të cilët janë arrestuar më datë 28.09.2020), kryenin në mënyrë të organizuar veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve me origjinë nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë transportimin e tyre nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 250-300 euro për person.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme, kanë transportuar një numër të konsiderueshëm personash, të cilët janë bllokuar nga shërbimet policore, pa mundur të kalojnë kufirin.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 6 automjete dhe 11 aparate celular“.



Source link