Deputeti Fitim Uka flet për emërimin e vëllait si këshilltar në ministri: Nuk ishte privilegj, ai la një vend tjetër pune

14

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka ka folur për emërimin e vëllait të tij si këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Emërimi i Sami Ukës këshilltar i ministrit Vitia po bëhet për herë të dytë. Ai ka qenë zyrtar i OBSH-së në Prishtinë, por në narracionin e mediave ai ishte vetëm vëllai im. Unë mendoj se duhet të diferencohet ky rast edhe nga deklarata e Kryeministrit Kurti pasi ai nuk është punësim por emërim. Vëllai ka lënë një vend pune dhe është emëruar këshilltarë në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Uka në “Debat Plus”.

“Nëse mendoni se është privilegj të jesh në këtë kohë këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, mjafton të shikoni CV e vëllait dhe ta shihni kalimin se çfarë institucioni ka lënë për t’u bërë këshilltar në MSH”, ka sqaruar më tej deputeti Uka, përcjell Telegrafi.

Ndërsa deputeti tjetër i LVV-së, Artan Abrashi thotë se do të jetë problem që një anëtari të kësaj partie t’i pamundësohet puna në pajtim me profesionin e vet.

“Ai [axha i Glauk Konjufcës] është zgjedhur në procedurë të emërimit e jo me konkurs. Gjithkund në botë kështu emërohen këshilltarët. Ne nuk mund të vendosim në këto pozita njerëzit e PDK-së apo LDK-së”, deklaroi Artan Abrashi.

“Nuk mund t’i mbushim ambasadat e as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për te shtëpia”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore./Telegrafi/

Familjarë të Konjufcës e deputetit Uka, këshilltarë të ministrave në Qeverinë Kurti



Huazuar nga