Berisha: Shqiptarët do të ndahen nga regjimi i kakistokracisë me 25 prill, Rama nuk merr vota në veri, as nga patriotët në jug

16

Ndërsa jemi vetëm 2 javë para zgjedhjeve, nuk kanë munguar raportet e agjencive ndërkombëtare ku ngrejnë shqetësimin për abuzim me pushtetin nën pretekstin e pandemisë, korrupsionin e lartë dhe pandëshkueshmërinë.

Ish-kryeministri, Sali Berisha, thotë se të marra në terësi ato janë përgjegjësi vetëm e kryeministrit Rama, të cilin e etiketon si “delja e zezë”.

Por Berisha është i bindur se shqiptarët në 25 prill do të ndahen nga ai që e quan rregjimi i kakistokracisë.

Berisha: Nuk ka diskutim që këto të marra së bashku janë damka të zeza mbi një dele të zezë. Edi Rama ia doli të shndërrojë Shqipërinë me kanabisin, krimin, shpërbërjen e standardeve në delen e zezë të Ballkanit dhe të Europës. Kam besim të madh se në këto zgjedhje shqiptarët me votën dhe pjesëmarrjen e tyre masive do të ndahen nga ky regjim të cilin në bindjen time më thellë nuk mund të ketë vlerësim tjetër veçse regjim i kakistokracisë.

Në këtë kontekst edhe veprimet e tyre, ju e shihni që fushata e tij ka degraduar në biseda telefonike me zyrtarët e tij se me qytetarët nuk takohet dot sepse përveç skandaleve dhe bilanceve negative nuk ka asgjë për tu paraqitur. Sot qarkullon nëpër Shqipëri me dy batalione, Gardë dhe Polici, pa një program politik dhe e pranon vetë.

I vetmi projekt që ka është sharja me gjuhë ordineri të kundërshtarëve politikë nga mëngjesi deri në darkë. Përhap ligësi. Sot shqiptarët në mazhorancë të lartë kërkojnë hapjen e negociatave me BE. Me Edi Ramën nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë. Në 5 vitet e fundit, kushtet nga 3 i çoi në 18.

Për Berishën,  nuk kanë patur shqiptarët një armik të egër si Rama.

 Berisha: E them në implikimin direkt të tij në ndarjen e Kosovës, në shitjen që i bëri së fundmi detit dhe në qëndrimin e pashembullt në histori ndaj veriut të Shqipërisë, përjashtimin me fshesë të hekurt raciste nga administrata të gjithë zyrtarëve të lartë me origjinë nga Kamza e sipër, diskriminimin total të investimeve në zonat e veriut.

Të gjitha së bashku nga Fushë Kruja, Valbona dhe në Vermosh nuk bëhen sa 2/3 e investimit në rrasat e gurit në sheshin “Skënderbej”. Më të varfrit në Europë janë banorët e qarkut të Kukësit, atyre u vendosi dhe taksën. Nuk merr vota, nuk e voton njeri në veri këtë. Nuk e votojnë as në jug patriotët dhe atdhetarët se ata e dinë se Shqipëria është ndërtuar mbi bazën e dallimeve krahinore, fetare e të gjithanshme.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana



Source link