Ballkani Perëndimor nënshkruan Deklaratën e Tiranës në mbështetje të Turizmit në Rajon

13

Ministrat dhe përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) nënshkruan Deklaratën e Tiranës për mbështetjen e rimëkëmbjes dhe rritjes së qëndrueshme të turizmit në rajon, në konferencën rajonale të nivelit të lartë.

Kjo ngjarje e mbajtur sot në Tiranë shënon finalizimin e “Projektit për Promovimin dhe Zhvillimin e Turizmit” të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), financuar nga BE.

“Përmes përfundimit me sukses të këtij projekti dhe kontributit në vazhdim, RCC është duke u përgatitur për hapin e saj të ardhshëm dhe rifokusimin e axhendës së turizmit të qendrueshëm si një pjesë integrale e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021-2024 duke përfshirë qeveritë, industrinë, komunitetet e këtij destinacioni dhe palët e tjera të interesit, për të krijuar prioritetet dhe për t`i vënë në zbatim sipas një vizioni rajonal, afatgjatë dhe të qendrueshëm për sektorin e turizmit”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e RCC, në hapjen e takimit.

Deklarata e Tiranës, e shikon pozicionimin e turizmit si një sektor kyç, strategjik për rimëkëmbjen ekonomike rajonale dhe zhvillimin e qëndrueshëm; Mundëson koordinimin e rihapjes dhe funksionimit të vazhdueshëm të zinxhirit të furnizimit me shërbime turistike dhe të udhëtimit ; Lehtësimin e një udhëtimi të sigurt dhe pandërprerje të udhëtarëve që favorizon rimëkëmbjen dhe zhvillimin e BP6; Zbatimin e protokolleve të sinkronizuara të shëndetit dhe higjienës për të harmonizuar përpjekjet e rimëkëmbjes së sektorit dhe për të rritur besimin e udhëtarëve; Dhe koordinimin e promovimit e komunikimit për të ngritur besimin në BP6 si një destinacion turistik i rëndësishëm, i besueshëm dhe i qendrueshëm.

Alessandra Viezzer, Zv.Drejtuese e Njësisë për Bashkëpunimin dhe Programet Rajonale të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian (DG NEAR) tha se BE e konsideron Ballkanin Perëndimor partner të privilegjuar. “Para pandemisë turizmi përbënte 15% të PBB-së së përgjithshme në rajon dhe bashkëpunimi rajonal përbën një potencial të madh për të nxitur rimëkëmbjen e rajonit. Jam vërtet e bindur se kjo konferencë shenjon sukseset e arritura, por është njëherësh një trampolinë për të ardhmen përmes përpjekjeve të përbashkëta. Përmes bashkëpunimit rajonal ne mund të kontribuojmë, ju mund të kontribuoni në rimëkëmbjen e sektorit të turizmit, të ekonomisë dhe ta bëjmë atë një shembull kryesor të rrugëtimit të rajonit drejt integrimit në BE”.

“Turizmi ka nevojë të funksionojë si sektor dhe ne duhet të kontribuojmë në rivendosjen e këtyre funksioneve. Së bashku kemi shumë aksione për të ndërmarrë në mënyrë që të mundësojmë rikthimin e besimit tek udhëtimet, frymën e besimit tek e panjohura dhe kënaqësinë për ta zbuluar këtë të panjohur. Kjo frymë na nevojitet, sepse turizmi po shndërrohet në gjeneratorin më të madh të kujtimeve pozitive, për të kontribuar në të ardhmen tonë, të ardhmen e njerëzimit. Turizmi është e vetmja forcë pozitive që ende bën të mundur dialogun midis vendeve”, tha Alessandra Priante, Drejtore e Departamentit Rajonal për Evropën në Organizatën Botërore të Turizmit (UNWTO), gjatë fjalës së saj.

Turizmi vazhdon të jetë një nga sektorët më të prekur të pandemisë Covid-19. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2020 pati 75% rënie të numrit të vizitorëve në rang ndërkombëtar krahasuar me vitin 2019 dhe qarkullimi i të ardhurave për vitin 2020 ishte në nivelin e 35%. Kjo është një rënie e madhe për Ballkanin Perëndimor, cili në vitin 2019 ka pasur 12 milionë vizitorë dhe një fitim prej 7.2 miliardë eurosh nga sektori turistik.

“Turizmi mund të jetë një katalizator i fuqishëm për rimëkëmbjen ekonomike, duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të njerëzve në rajon dhe fokusi ynë është që të ripozicionojmë turizmin , për të gjeneruar ritme më të larta rritjeje si për hyrjet e vizitorëve, ashtu edhe për të ardhurat për komunitetet lokale. Për të arritur këtë rritje, ne duhet të sigurojmë që të gjitha aspektet e zinxhirit të furnizimit të shërbimeve turistike në rajon janë plotësisht funksionale dhe të mund të ofrojmë vërtet atë që premtojmë kur promovojmë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor si një zone e përbashkët turistike me shumë-destinacione”, përfundoi Bregu.

Deklarata e Tiranës

Konferenca Rajonale e Nivelit të Lartë “Tourism as a Key to Sustainable Development” (Turizmi, sektori kyç i Zhvillimit të Qendrueshëm) u organizua nga RCC dhe Projekti “Triple-P” i turizmit i financuar nga BE dhe mblodhi ministra dhe zyrtarë të lartë përgjegjës për turizmin në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Grupin e Ekspertëve të Turizmit të Ballkanit Perëndimor (TEG), përfaqësues nga Komisioni Europian, delegatë të BE në Ballkanin Perëndimor dhe organizata ndërkombëtare që operojnë në sektorin e turizmit në rajon. Konferenca shënoi finalizimin e projektit 3-vjeçar të Turizmit Triple-P.

Në një periudhë 3-vjeçare Projekti i Turizmit “Triple-P” ka angazhuar më shumë se 100 ekspertë dhe profesionistë dhe përafërsisht 60 organizata të shoqërisë civile në nisma që i përkasin turizmit rajonal të aventurës dhe kulturës. Ky projekt gjithashtu kontribuoi në identifikimin dhe zhvillimin e 4 itinerareve kryesorë rajonal të turizmit kulturor dhe të aventurës, ndihmoi në lehtësimin e procedurave të ndërlikuara administrative në rajon, përmirësoi e zgjeroi dukshëm produktet turistike dhe konsolidoi ofertën e fragmentuar të turizmit në përputhje me kërkesat e tregut ndërkombëtar. Projekti gjithashtu mundësoi skemën e grantdhënies përmes 3 cikleve ku përfituan 36 grante të voglanë vlerën totale prej 1.6 milionë Euro dhe organizoi konkursin e parë rajonal në fushën e turizmit digjital “Futoruismo” si dhe një seri trajnimesh online të ofruara falas për operatorët turistik, që synuan të ndihmojnë sektorin e turizmit të Ballkanit Perëndimor në periudhën post-pandemike.

***

Projekti është realizuar nga Sekretariati i RCC-së në bashkëpunim me “South East Europe Investment Committee” (SEEIC) dhe Tourism Expert Group (TEG) që udhëhoqën zbatimin. Projekti u financua nga Bashkimi Europian në vlerën prej 5 milionë eurosh.



Huazuar nga