Hungaria heq kufizimet e pandemisë

9

20:50 07/04/2021
Ndër vendet e BE që përdor vaksinat ruse e kineze
Hungaria filloi gradualisht të heqë kufizimet e pandemisë pasi ka vaksinuar mbi 2.5 milionë banorë. Kryeministri Viktor Orban tha se ora policore gjatë natës do të reduktohet nga nëntë në shtatë orë.
Kafenetë dhe qendrat tregtare do të lejohen të rihapen, por me kushtin që brenda tyre të ketë numër të kufizuar personash.
Do të lejohet të rifillojnë veprimtarinë tregtare shumica e shërbimeve në mbarë Hungarinë, përfshirë sallonet e bukurisë. Sipas rregullave të reja, dyqanet janë të detyruara të kufizojnë numrin e personave, një për çdo 10 metra katrorë.
Mbajtja e maskës në publik do të vijojë të jetë e detyruar, ndërsa restorantet do të vazhdojnë të punojnë vetëm me shërbimin delivery.
Hotelet do të lejohen të mirëpresin vizitorë, por vetëm për qëllime biznesi. Shkollat do të hapen gradualisht nga 19 Prilli dhe vetëm pasi personeli të jetë vaksinuar.
Për shkak të shtrirjes së fushatës së vaksinimit dhe portofolit të gjerë të vaksinave, norma e infektimeve ditore e po ashtu edhe e vdekjeve ka rënë.
Deri tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës rreth 25 për qind e hungarezëve, shumë më tepër se mesatarja e Bashkimit Europian.
Përveç tre vaksinave të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave, Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca, Hungaria ka marrë edhe vaksinën ruse Sputnik V dhe atë kineze të firmës Sinopharm.
Klan News

Linku i Huazuar