Nga rritja ekonomike tek të ardhurat dhe mirëqenia e qytetarëve, Basha sqaron programin e PD-së –

10

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë përballë gazetarit Lutfi Dervishi në emisionin “Përballë” e nisi me një zotim në lidhje me Televizioni Publik, që sipas tij do të rikthehet në vendin që i takon.

Basha tha se Partia Demokratike vjen me një program propozimesh e planesh të përllogaritura për të realizuar qëllimin final: rritja ekonomike, e të ardhurave dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Dy janë fushat kryesore në të cilat unë si kryeministër nesër do të ndikoj në përmirësimin e lirisë së medias. Së pari statusi i gazetarëve. Garantimi i gazetarit dhe i punëtorit të medias, se kur flas për gazetarët flas për këdo, flas edhe për operatorët, flas edhe për editorët, flas edhe për kryeredaktorët, për të gjithë ata që merren me median që nuk do të jenë në mëshirën e pronarit qoftë ky pronar privat që është shumica e mediave sot, qoftë ky pronari publik. Një status financiar, një status dinjitoze, në mbrojtje të pamatshme siç e meriton dikush që është përçues i interesit publik dhe është mediatori midis interesave të ndryshme të një shoqërie në veçanti mediatori midis qeverisë dhe të qytetarëve. Statusi i gazetarit do t’i japë fund abuzimit dhe varësisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias nga tekat e pronarëve të medias apo akoma më keq nga tekat e qeverisë apo të politikës që diktojnë pastaj pronarët e medias duke i mbajtur ata peng apo duke i joshur me forma dhe mënyra të ndryshme. Dhe zotimi im i dytë është forcimi i televizionit publik. Forcimi i televizionit publik do të thotë që ne do të propozojmë dhe shpresojmë edhe me miratimin e opozitës së ardhshme socialiste, do të kalojmë një ligj në parlament ku financimi i televizionit publik do të jetë një përqindje e caktuar e buxhetit dhe i gjithë mekanizmi i mbikëqyrjes dhe i vënies në punë e televizionit publik do të bëhet në mënyrë të tillë që ti përkasë realisht botës së medias, ti përkasë gazetarëve dhe shoqatave të gazetarëve dhe jo të ndikohet politikisht. Pra mos të jetë pronë e pa shpallur e partisë në pushtet.
Ajo që unë pres nga televizioni publik nuk është që të më shërbejë mua si kryeministër nesër apo partisë time në pushtet por pres që përmes parave të taksapuguesve me të cilat paguhet të zërë atë vend në audiencë dhe t’i japë atë vend debatit publik që meriton një shoqëri e emancipuar Europiane.”, -tha Basha.

Sipas Bashës, programi i PD-së është hartuar në bashkëpunim me 500 ekspertë.

“Programi ynë është një program i cili është hartuar në bashkëpunim me mbi 500 ekspertë për një periudhë kohore prej më shumë se 2 vjetësh. Aspekte të veçanta siç është programi financiar madje kanë më shumë se 3-4 vjet që janë hartuar. Kanë kohë mjaftueshëm madje që edhe të kopjohen pa u kuptuar nga pala kundërshtare që është natyrisht forma më e lartë e komplimentit dhe e miklimit dhe e vlerësimit për programin tonë, por mbi të gjitha është një program i konsultuar me Aleancën për Ndryshim. Partia Demokratike vjen me një program propozimesh, planesh, të cilat janë të përllogaritura për të dhënë impaktin maksimal në synimin tonë, në objektivin tonë madhor që është mirëqenia e shqiptarëve, që është rritja e vendeve të punës, rritja e pagave dhe dalja nga cikli i krizës ekonomike 8-vjeçare ku e ka futur vendin keqqeverisja e Edi Ramës.”, theksoi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb



Source link