Madam Presidentja ka në dorë demokracinë në Kosovë

17

MENTOR NAZARKO

Kosova rrezikonte të hynte në një krizë të fortë institucionale, e cila për fat të mirë u zgjidh. Kishte dy shkaqe kryesore për krizën:
Shkaku i parë, në radhë kohore, ishin dhe mbeten “zgjidhjet kushtetuese” me porosi të dikujt që sot jep leksione nga banakët televizive. Duke besuar se mund të bëhej vetë President nëse largonin Behgjet Pacollin nga posti, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në ndikimin e tij shpiku interpretime absurde për raundin e parë të votimit. Interpretime të vlefshme vetëm për Kosovën.
Aq absurde ishin vendimet e saj, sa para disa javësh, zotëria ka thënë se po të ankohej dikush sot në Gjykatë Kushtetuese, ajo do ta interpretonte ndryshe nga 10 vjet më parë të njëjtin nen! (nenin për votimin e parë të Presidentit).
Sot, me guxim, ai thoshte se mund të na duhet të votojmë pafund deri në 5 maj. Në emër dhe si pasojë e “hileve kreative” që ai shpiku, posti i Presidentit në Kosovë është zhvlerësuar sikur të ishte posti i portierit: ai i kalon dorë më dorë disa personave pa kurrfarë precedenti në botë; radha e zgjedhjeve të institucioneve është përmbysur-zgjidhet qeveria, duan të miratohen ligje; pastaj Presidenti mund të zgjidhet po kohë. Kësisoj, edhe politikanët që e urdhëruan ekspertin kushtetues, apo të gjithë, nëse doni, u bënë pjesë e këtij kombinacioni kushtetues të shndërruar në zakon, që i ngjan asaj fabulës latine: mëllenja bëri glasën ngjitëse ku iu ngatërruan këmbët e saj. Turdus Sidi, malum cacat.
Shkaku i dytë ngjan se është lakmia për pushtet e atyre që qeverisin. Presidenti i Kosovës ka shumë kompetenca, veçanërisht në politikën e jashtme që do ta sfidojnë Kryeministrin dhe me gjasë shumë shpejt mund të ketë përplasje mes tyre.
Ndaj zgjedhja e tij u vështirësua kaq dhe u shfaqën elementët e pazarit. U harrua si po përkujtojnë shumë mbështetës të Vetëvendosjes në rrjete sociale, se prioritetet e Kosovës janë të tjera.
Vendi ka nevojë për vaksina dhe jo për infektime e vdekje të shumta-pasojë e fushatës zgjedhore, që sot po detyrojnë qeverinë të mbyllë ekonominë. Kosova është, duam nuk duam, protektorat i Perëndimit që nuk lejon aventurime si u dëftye me tërheqjen e VV nga ligji për zgjedhjet.
DEMOKRACIA NË DORË TË ZONJËS OSMANI
Nëse shkaqet e pragkrizës ishin dhe janë dy, prej asaj që ndodhi, Kosova mund të dalë më e fortë. Dhe Madam Presidentja kishte dhe ka në dorë zgjidhjen e konflikteve dhe fatin e demokracisë në Kosovë.
Mund ta bëjë që tani këtë duke treguar profil presidencial, properëndimor, rugovist, të distancuar njëlloj nga Vetëvendosja, ashtu dhe nga opozita. Si institucionalist mund të preferoje që Vjosa-prej kur iu bashkua Vetëvendosjes- të ruante profilin e saj të veçantë, të shkëputur prej tyre, si liberale e djathtë.
Për më shumë që nisi të bënte fushatë me disa kostume njëherësh si Presidente, si kryetare Parlamenti, si shefe e Lëvizjes “Guxo” etj., etj. Mirëpo askush s’e gjykon dot fitimtarin. Për më shumë që ajo, me zgjidhjen e vet, duke iu bashkuar Vetëvendosjes edhe ideologjikisht, të paktën deri tani, u bë politikania më e votuar e historisë së Kosovës. Mirëpo, ndërsa zonja Osmani donte të bëhej kryetare e Kosovës dhe e arriti këtë objektiv, si Presidente akoma më shumë ka në dorë të shkëputet nga slogani që hap dyert e autokracisë… Krejt… dhe të japë zgjidhje.
Mund ta bënte pa mbërritur në postin e Presidentes, duke treguar se e meriton atë, duke u ngritur mbi palët, duke u shkëputur nga loja pragmatike e deritanishme, sepse zgjidhjet institucionale nuk janë pronë partie, por institucionesh.
Sot, si Presidente, Vjosa duhet të thërrasë në emër të vet një tryezë të partive. Presidente Vjosa nuk duhet të lejojë poshtërimin e opozitës. Presidente Vjosa duhet të bashkojë shqiptarët dhe jo t’i ndajë ata si don dikush. Sot nuk ka alibi se përballë janë të vjetrit me të rinjtë si para zgjedhjeve.
Presidentja Osmani duhet të restaurojë raportin e shqiptarëve me Perëndimin, dhe me SHBA-në posaçërisht, sepse diçka është dëmtuar si tregojnë disa sondazhe.
Temat e tryezës mund të ishin 4:
1)Ligji për zgjedhjet, edhe me votimin e diasporës në termat si e don Vetëvendosja. Por, me kujdes, se dhe serbët e Kosovës, larguar në Serbi, mund të kërkojnë të drejtën e votës në zyrën ndërlidhëse të saj në Beograd. A ka Kosova kapacitete për të kontrolluar legjitimitetin e votës të të gjithëve në Serbi? Varianti i VV për votimin në diasporë, përmend konsullata dhe ambasada, po Zyra ndërlidhëse e Beogradit si do kualifikohet?
2)Zgjedhja e Presidentit nga populli tash e mbrapa. Besoj u kuptua pse me postin e Presidentit për dy shkaqet e mësipërme, u luajt shumë. Kësisoj do ndryshohej Kushtetuta, duke imponuar një President të fortë dhe ekuilibër të ri. Do shfuqizohej zakoni kushtetues që imponoi Gjykata me kuorumet absurde te votimeve për Presidentin, etj. Zoti Kurti nuk e do, mirëpo….
3)Dialogu me Serbinë. Si po kuptohet, nga miqtë tanë amerikanë apo europianë (të përçarë si dikur, apo bashkë?!), dialogu është prioritet. Nuk mund t’u iket prioriteteve perëndimore. Formati, roli i Presidentit, roli i Kryeministrit, mënyra e miratimit të platformës, apo të arriturave të dialogut etj., duhen riparë në dritë të re. Kosova sot është e fortë nëse e gjykon gotën gjysmë plot, por nuk duhet të bëhet joserioze, si gjithë këto vite- unë vij në Uashington apo Paris, po të mos ftoni Presidentin, ose e anasjellta.
4)Ligji zgjedhor. Kosova ka probleme me këtë ligj, që nuk mundëson fitues të qartë dhe që ka prodhuar zgjedhje të parakohshme shpesh.
Vjosa mund të të sillej si Presidente para se ta merrte detyrën. Aq më shumë duhet ta bëjë tani. Kësisoj, ajo justifikon autoritetin e madh që i dha vota popullore, kësisoj i jep dinjitet ish-partisë së saj dhe listës së saj. Dje mund të shtynte krejtësisht kolegët, madje krejt opozitën ta votonte. Tetëdhjetë votat në kuti mund të ishin të gjitha për të. Sot e tutje, do tregojë se Kosova nuk kontrollohet vetëm nga një njeri, dhe se institucionet funksionojnë në plotni.

© Panorama.al

Burimi