Kosnett e Jahjaga vizitojnë Qendrën e Grave Medica Gjakova, diskutojnë për të drejtat e grave të dhunuara gjatë luftës

16

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kanë vizituar Qendrën e Grave Medica në Gjakovë, ku kanë takuar të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Jahjaga ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite ata kanë diskutuar për mundësinë që të gjejnë rrugë të reja për tu qëndruar pranë të mbijetuarave të dhunës seksuale.

“Me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, sot ishim në Gjakovë në Qendrën e Grave Medica Gjakova, e cila tashmë disa vite merret me fuqizimin e grave përfshirë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, shkruan Jahjaga.

Jahjaga tha se kanë shprehur mbështetje për të mbijetuarat e dhunës.

“Dëgjuam hallet dhe shqetësimet e disa të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe shprehëm mbështetjen tonë për të mbijetuarat dhe punën që bën Qendra nën udhëheqjen e znj. Mirlinda Sada. Diskutuam poashtu mbi shtigje të reja që duhet të gjejmë për t’ju qëndruar pranë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në realizimin e të drejtave të tyre”, thekson ajo.

“Në këtë drejtim, inkurajuam të mbijetuarat e dhunës seksuale që shfrytëzojnë të drejtat e tyre ligjore duke aplikuar për statusin e të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Procesi i verifikimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është jetik për procesin e zbardhjes të së vërtetës dhe ballafaqimit tonë me të kaluarën”, shkruan Jahjaga. /Telegrafi/



Huazuar nga