“MASAKËR” NË LIQENIN E DIBRËS! ELEM-i e shndërron Liqenin në përroskë

29

Akumulacioni i liqenit është përgjysmuar, ndërsa rënia e nivelit të ujit është afër 100 metra. Hapësira duke filluar nga Ura e Melniçanit e deri tek Ura e Kosovrasit, pothuajse është pa ujë. I ngjan një përroske të vogël. Është kompania energjetike “ELEM”, e cila nëpërmjet hidrocentralit “Spile”, e ka sjellë në këtë gjendje liqenin. Prodhimi sa më i madh i energjisë elektrike dhe mosrespektimi i normës ligjore për rënien e ujit, ka bërë që Liqeni i Dibrës të shndërrohet në katastrofë ekologjike

Vjollca SADIKU

Dibër, Prill – “Masakër” në liqenin e Dibrës. Shqetësime pa fund të dibranëve, ndërsa gjendjen e këtillë me nivelin e pakët të ujit, nuk e mbajnë mend as banorët më të moshuar. Rënia kaq e madhe e nivelit të ujit në liqe ka kaluar të gjitha përmasat e lejuara me ligj, ndërsa pasojat do të jenë të mëdha për jetën në liqen, për florën dhe faunën. Sidomos shqetësuese është niveli kaq i madh këtë muaj, në mars, ku rritja e ujit duhej të ishte katërfish më e madhe sesa është tani e një vit. Akumulacioni i liqenit është përgjysmuar. Rënia e nivelit të liqenit është mbi 100 metra, dhe pjesa e duke filluar nga Ura e Melniçanit e deri tek Ura e Kosovrasit, pothuajse është pa ujë. I ngjan një përroske të vogël. Është kompania energjetike “ELEM”, e cila nëpërmjet hidrocentralit “Spile”, e ka sjellë në këtë gjendje liqenin. Prodhimi sa më i madh i energjisë elektrike dhe mosrespektimi i normës ligjore për rënien e ujit, ka bërë që Liqeni i Dibrës të shndërrohet në katastrofë ekologjike.

 

“SPILE” ARSYETOHET ME PRURJE TË VOGLA TË UJIT

Koncesioneri i liqenit për peshkim sportiv dhe rekreim, shoqata e peshkatarëve sportive “Trofta” është e para që ka reaguar ashpër për këtë gjendje të liqenit të Dibrës. Kryetari i saj, Dritan Bocku, ka kërkuar sërish nga Elektro-Ekonomia e Maqedonisë (ELEM), respektivisht hidrocentrali “Spilje” të respektoj minimumin e garantuar me ligj të nivelit të ujit. “Kështu dëmtohet edhe shumimi i peshkut sidomos krapit”, thotë Bocku, ndërsa shton se tashmë dëmet janë të mëdha. “I apelojmë sërish institucioneve kompetente të kontrollojnë pohimin e energjisë dhe punën e hidrocentralit ‘Spile’ dhe të kthehet niveli i garantuar i ujit”, kërkon koncesioneri i liqenit. Shoqata dhe anëtarët e saj, vijon më tutje Bocku, në takimet e rregullta disa herë ka ngritur dhe ka përcjellë shqetësimet, por asnjë masë konkrete nuk është deri më tani nga institucionet. “Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në shumimin dhe rritjen e fondit të peshkut”, shton Bocku.

“Ne kemi këtë liqe dhe jemi të bindur se peshkimi sportiv garanton edhe një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit liqenor në Dibër, por kjo gjendje na dëmton shumë”. Shqetësime për nivelin e ulët të liqenit ka shprehur edhe pushteti vendor. Kryetari i Komunës Dibër, Hekuran Duka, tregon se problem me nivelin e ujit kemi pothuajse çdo vit. “Prej vitin që kaloi, niveli i liqenit të Dibrës është me luhatje, ku në shumicën e rasteve – është tepër i ulët. Gjithashtu, në këtë drejtim duhet theksuar edhe faktin me uljen e prurjeve të lumenjve dhe përroskave në liqenin tonë”, tregon Duka, ndërsa shton se janë të pakta edhe prurjet e ujit për shkak të situatës hidrologjike nga lumenjtë Radika dhe Drini i Zi.

Duka thotë se pushteti lokal disa herë ka kërkuar nga institucionet kompetente të tregojnë shkaqet e nivelit të ulët të ujit, në aspekt profesional. “Si komunë i jemi drejtuar zyrtarisht drejtorisë së hidrocentralit ‘Spilje’ për të na dhanë raport zyrtar për këtë gjendje. Kërkesës sonë i janë përgjigjur dhe në të thuhet se, ‘shkaku kryesor i uljes së nivelit të ujit në liqen, janë reshjet e pakta vitet e fundit dhe shterja e burimeve’. Ata me një raport na faktuan se hidrocentrali ‘Spilje’ e respekton rregulloren në lidhje me futjen ose jo në punë të turbinave në varshmëri të nivelit të ujit të liqenit’”, shton kryetari Duka. Disa herë për këtë problem ka debatuar edhe Këshilli i Komunës duke shprehur shqetësimet për dëmet që pëson flora dhe fauna në liqenin e Dibrës. Megjithatë, e vërteta duket të jetë ndryshe. Uji që derdhet në hidrocentralin “Spile” është shumë më i madh dhe derdhja më e madhe bëhet në anën e Shqipërisë, në kufirin ku “Spile” prodhon energji elektrike. Derdhja e ujit bëhet pikërisht për prodhim sa më të madh të energjisë, në dëm të ujërave dhe me këtë, shkaktohet “masakër” në liqen.

DËMTOHET EDHE RRITJA E FONDIT TË PESHQVE

Kanë reaguar edhe përfaqësuesit të sektorit qytetar. Aktivisti Gazmend Cami thekson se ulja e nivelit të liqenit të Dibrës është një dukuri që po përsëritet shpesh dhe kjo vjen nga konsumi i ujit të akumuluar për prodhimin e energjisë elektrike. “Në sezonet me reshje të pakta dhe me prurje minimale, duhet të bëhet harmonizim i lëshimit të ujit për prodhimin e energjisë elektrike gjithmonë duke ruajtur një nivel që mos të ketë ndikim negativ në biodiversitetit. Në rastet kur ulje drastike të liqenit, janë vërejtur efektet negative meqë një numër i madh i gjallesave të ekosistemit të formuar, po mbeten jashtë ujit dhe ato shkatërrohen”, thotë Cami, ndërsa thekson mungesën e kujdesit që liqeni të mënaxhohet siç duhet. “Edhe pse liqeni është artificial, patjetër duhet bërë përpjekje maksimale që niveli i liqenit të menaxhohet në mënyrë që ndikimi negativ te biodiversiteti të jetë miinimal. Në këtë drejtim, sidomos duhet patur kujdes në kohën e shumimit të peshqve, sepse lëshimi i vezëve bëhet në ujërat e cekëta dhe në këtë periudhë, duhet mbajtur niveli stabil. Në të kundërtën, niveli zbret dhe vezët mbeten në të thatë. Kjo do të thotë ndërprerje e procesit të shumimit natyror”, shton Cami.

POMPAT PËRGËNJESHTROJNË ZYRTARËT E HIDROCENTRALIT

Megjithatë, nga hidrocentrali “Spile” mohojnë akuzat e dibranëve, ndërsa thonë se hidrocentrali ka respektuar dhe respekton minimumin e nivelit të ujit kur bëhet fjalë për prodhimin e energjisë elektrike. Xheladin Imeroski, drejtor i hidrocentralit “Spile”, ka thënë shkurt për gazetën KOHA se niveli ligjor i garantuar respektohet edhe sot e kësaj dite. “Ju garantoj se minimumi në liqe respektohet”, thotë shkurt drejtori Imeroski. thekson drejtori i Hidrocentralit Spile Xheladin Imeroski, megjithëse gjendja në liqen tregon të kundërtën. Ky hidrocentral viteve të fundit është pjesë e ndërmarrjes publike të sistemit të hidrocentralit të Drinit të Zi me seli në Strugë. Por, dibranë dyshojnë në deklaratat që jepen nga institucionet kompetente në lidhje me kuotën minimale të liqenit. Bujqit dibranë, të cilët më parë tokat e tyre në fushën e Dibrës i ujitnin nga stacioni i pompave që ishin në liqen, thonë se kuota minimale ka qenë pikërisht niveli i pompave. Tani, uji është afër 70 metra nën nivelin ku janë pompat e ujitjes.

Në Njësinë rajonale të Bujqësisë në Dibër thonë se, problemi me nivelin e ujit është pikërisht te marrëveshja kur është ndërtuar liqeni artificial në Dibër. Sipas kësaj marrëveshje, Liqeni i Dibrës si prioritet ka prodhimin e energjisë elektrike, gjithmonë duke respektuar kuotën e garantuar të nivelit të ujit. Se sa respektohet kjo kuotë, mbetet për t’u dëshiruar. Në një situatë të këtillë, kompetentët lokal në Dibër thonë se zgjidhja e problemit mbetet te një marrëveshje-dokument i ri me ELEM-in dhe pushtetin qendror dhe lokal që definon saktë minimumin dhe ndryshon rregullat e prioriteteve, konkretisht sasinë dhe mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike.

DO TË KRYHET INSPEKTIM I JASHTËZAKONSHËM I LIQENIT

Lidhur me nivelin e ulët të ujit në Liqenin e Dibrës, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor informojnë se ministri Naser Nuredini është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Komunës së Dibrës dhe Inspektoratin Shtetëror për Mjedis Jetësor. “Theksojmë që ELEM ka një leje aktive të lëshuar nga Ministria e cila i obligon ata që t’ju përmbahen kushteve të përcaktuara. Gjithsesi, ministri Nuredini kërkoi nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor që të kryejë një inspektim të jashtëzakonshëm dhe të informojë për gjetjet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ambientit drejtuar gazetës KOHA. (koha.mk)