“Çfarë votash kërkoni”?! Kërcënohet qytetari që filmoi incidentin në takimin e Blendi Klosit: Kam frikë, ja ç’më tha ministri –

10

Një qytetar, që filmoi një incident në një takim elektoral të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, është kërcënuar me jetë.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “BalkanWeb” se qytetari Xhimi Gjishti është kërcënuar, pas videos së filmuar dhe publikuar në internet, ku një banor, i pranishëm në takim, i është kthyer i revoltuar ministrit Klosi, duke i thënë “Çfarë votash kërkoni nga ne kur nuk keni berë asnjë për fshatin Drenovicë, keni vënë shtyllat dhe s’ka asnjë dritë”.

Pasi videoja u bë virale, shtetasi Xhimi Gjishti deklaron se është kërcënuar në telefon nga shumë persona. Duke folur për gazetaren Petova, Gjishti deklaron se është marrë disa herë në telefon pa numër dhe është kërcënuar ai dhe familja e tij.

Ai deklaron se është kërcënuar për videon që ka bërë dhe ka frikë për vetën dhe familjen, por edhe se mos dikush i dëmton prodhimin në sera dhe tokat bujqësore. Gjishti deklaron se ka frikë të denoncojë në polici, pasi nuk ka besim tek askush.

“Unë thjesht një fshatar dhe filmova për qejfin tim, për punën që s’jemi të kënaqur me pushtetin, filmova dhe e hodha videon. Tani më kërcënojnë, më thonë pse e hedh videon pa dijeninë tonë. Më kanë marrë në telefon me numër të fshehtë dhe më kanë fyer e ofenduar. Në telefon më kanë bërë sharje, por kërcënime jo, se e kam mbyllur telefonin. Kam frikë për serat, se kam disa sera.

Filmova se jemi të pakënaqur, një fshatar i joni foli për të drejtat e tij dhe unë e filmova. Ai foli për të tëra, investimet, ne s’kemi parë asgjë nga shteti. Ne jemi tetë anëtarë në familje dhe dua të mos kërcënohen e preken ata. Kur po filmoja vetë Blendi Klosi më tha ‘pse filmon, boll se ke shumë kohë që filmon’. I thashë çfarë problemi ke, unë do të filmoj”, shprehet banori i kërcënuar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb



Source link