Vazhdon saga e zgjedhjes së presidentit, a do ta sigurojë Vjosa Osmani votën e 80-të?

8

Pas dy përpjekjeve të dështuara për të siguruar fletvotimet e domosdoshme në kutinë e votimit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot seancën e jashtëzakonshme, të nisur dje, për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Të shtunën, Kuvendi i Kosovës u mblodh për ta zgjedhur të parin e shtetit, por nuk arriti pasi mungonin votat e nevojshme në kuti, ndonëse në sallë kishte kuorum të nevojshëm prej 82 deputetësh të pranishëm.

Prandaj sot në orën 17:00 pritet të vazhdojë seanca, pas  dy tentimeve të dështuara gjatë së shtunës.

Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta janë dy kandidatët e propozuar për president nga Lista “Guxo”.

Ani pse Lidhja Demokratike e Kosovës ia kishte premtuar Osmanit bërjen e kuorumit, deputetët Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, nuk morën pjesë në votim, shkruan Telegrafi.

Por, jo vetëm tre deputetët e LDK-së ishin “fajtorë” për dështimin e zgjedhjes së presidentit.

Ishte menduar se 81 vota ishin të sigurta për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Konsiderohej se me 12 nga 15 votat e LDK-së dhe 69 votat e LVV-së me partnerët e koalicionit nga minoritetet (pa Listën Serbe) do të bëheshin 81 votat e mjaftueshme për kuorum dhe zgjedhjen e presidentes.

Ishin dy deputetët  nga komunitetet pakicë, Adem Hoxha, i Partisë së Goranëve të Kosovës dhe deputeti tjetër nga Iniciativa Rome, Fadil Gashi që kanë dështuar në momentin e fundit, duke mos marrë pjesë më seancë.

Kryetari i Partisë së Goranëve të Kosovës, Adem Hoxha ditë më parë pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kishte thënë se bllokadën e institucioneve nuk e shohin si metodë për zgjidhjen e problemeve.

Në seancë ka munguar edhe deputeti nga Iniciativa Rome, Fadil Gashi, i cili dy javë më parë pas takimit me Kurtin e Osmanin, nuk kishte treguar nëse do ta votojë as Qeverinë Kurti.

Pavarësisht se PDK-ja kishte paralajmëruar bojkotimin e seancës për presidenten, LVV dhe Vjosa Osmani, shpresonin se deputeti i kësaj partie Xhavit Haliti do të ishte në seancë dhe do të votonte për zgjedhjen e presidentes, shkruan Telegrafi.

Ai ditë më parë kishte thënë se do ta votonte Vjosa Osmanin për presidente dhe do duhej ta votonin të gjithë deputetët, sepse pos tjerash është kërkesë e SHBA-së.

Por, të shtunën Haliti nuk u shfaq në Kuvend, duke deklaruar se është jashtë Kosovës dhe se shtuna dhe e diela janë ditë pushimi.

I mbetet LVV-së dhe grupit të Vjosa Osmanit në Kuvend që të sigurojnë edhe një votë, në mënyrë që sot të përfundojë saga e zgjedhjes së presidentit.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur sot se nuk kanë pasur kontakte me deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Halitin, në mënyrë që ta sigurojnë votën e 80-të për kandidaten e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmanin.

Ajo ka theksuar se janë në bisedime me disa deputetë të cilët sipas saj kanë pasur një vullnet më të mirë që të marrin pjesë në votimin e presidentes dhe gjithashtu pret që edhe dy deputetët nga pakicat sot të marrin pjesë në seancë.

Edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it në vendin tonë u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të përmbushin obligimin dhe përgjegjësinë që kanë marr ndaj popullit të Kosovës dhe të marrin pjesë në seancë dhe të sigurojnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit.

Mbetet të shihet nëse sot në orën 17:00 do të ketë vazhdim të seancës dhe nëse LVV dhe Vjosa Osmani do të sigurojë kuorumin dhe votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit.

Zgjedhje e presidentit duhet të kryhet brenda afatit kushtetues. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se në këtë formë siç është duke u votuar në Kuvendin e Kosovës, nuk është konsumuar raundi i parë i votimit dhe kjo sipas tij mund të vazhdojë deri më datë 5 maj.

Nëse deri më 5 maj nuk zgjidhet presidenti, atëherë nuk do të ketë as kush t’i shpallë zgjedhjet pasi nuk ka ushtrues detyre të presidentit të vendit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh. /Telegrafi/



Huazuar nga