Evropa feston Pashkët në karantinë

13

12:24 04/04/2021
Franca në shtetrrethim, Greqia lehtëson masat nga e hëna
Qytetarët evropianë po i festojnë Pashkët e këtij viti në kushte bllokadash kombëtare për frenimin e përhapjes së COVID-19. Për Francën, kjo fundjavë shënon nisjen e një muaji të gjatë bllokade, ndërsa Greqia nis të Hënën lehtësimin pavarësisht shifrave të larta të infektimeve ditore.
Nga nata e kaluar, Franca rivendosi shtetrrethimin kombëtar nga ora 7 e pasdites deri në 6 të mëngjesit. Orari nuk lejon asnjë lëvizje gjatë këtij afati, por risi është kombinimi i tij me bllokadën kombëtare që parashikon ndalimin e lëvizjes në një distancë më të largët se 10 kilometra nga vendbanimi.
Për të mos u ndëshkuar, personat që kapërcejnë këto rregulla, duhet të plotësojnë këtë formular që i lejon të dalin jashtë rrezes së lejuar të lëvizjes apo në orarin e shtetrrethimit. Bllokada kombëtare ka hynë në fuqi që këtë fundjavë Pashke në Francë, teksa shifrat e infektimit vijojnë të jetë në nivele të larta, ndonëse kanë pësuar një rënie të lehtë këtë 24-orësh krahasuar me ditët e fundit.
Greqia nis nga e Hëna lehtësimin e masave me hapjen edhe të aktiviteteve të kategorisë jo-jetike që kanë qenë të mbyllura prej disa javësh. Megjithatë, këto aktivitete do të qëndrojnë mbyllur në zonat ku infektimet janë të larta. E tillë është edhe Patra, ku pronarët e bizneseve protestuan gjatë vizitës së zëdhënësit të qeverisë Stelios Pecas.
Infektimet ditore në shkallë kombëtare vijojnë të jenë mbi 3 mijë, por me lehtësimin e masave, qeveria greke synon të çlirojë psikologjikisht banorët. Kjo fundjavë shënoi rënie të lehtë të shifarve të infektimeve ditore në pjesën më të madhe të kontinentit. Infektimet më të larta në botë, këtë 24-orësh i ka India me mbi 93 mijë raste.
Tv Klan

Linku i Huazuar