Xhelal Mziu: Dibra e izoluar dhe në errësirë, qeveria ka kapitulluar! –

10

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se Dibra është e izoluar dhe në errësirë.

Mziu thekson se qeveria ka kapitulluar dhe se me Bashën kryeministër, do të hapet Universiteti i Dibrës.

Postimi i drejtuesit politik të PD-së Xhelal Mziu:

Janë më shumë se 70% e njësive administrative në errësirë të plotë në Dibër. Janë zona të tëra, në errësirë dhe të izoluar prej 4 ditësh. Banorët tregojnë se e hapin rrugën vetë me lopata, ndërsa Bashkia nuk duket askund. Edhe shtyllat elektrike i kanë ngritur, por defekti nuk është aty në fshat.

Rilindja i ka braktisur tashmë, drejtuesit vendorë janë të gjithë në fushatë. Fëmijët nuk kanë si të studiojnë, nuk kanë si të shkojnë në shkollë, gjithçka si në mesjetë. Për të karikuar apo për të celularët, apo për të marrë ushqime, duhet të shkojnë në qytet 9 km larg, me kafshë pune, dhe në këmbë.

Ndërkohë që banorët vuajnë mungesën e rrugës dhe energjisë, bashkia dhe qeveria kanë dalë në fushatë për të mbledhur vota. Në fakt vetë kryetari e Bashkisë Dionis Imeraj ka braktisur detyrën dhe ka lënë gjithë Dibrën në izolim.

Drejtori i OSHE Bekim Krrashi, aktor i Dosjes 184, ka aktivizuar gjithë stafin dhe nuk ka asnjë elektriçist në terren. Drejtori i Spitalit Artan Bitri ka braktisur detyrën duke kandiduar në Durrës. Drejtori i Sigurimeve Shoqërore ka braktisur detyrën dhe kandidon për deputet. Të gjithë këto kanë komanduar njerëzit e tyre , ndaj edhe Dibra ka mbetur në terr.

Drejtuesi politik Xhelal Mziu gjatë takimeve derë më derë ishte dhe pa nga afër situatën. Për të shkuar deri në Ilnicë të Njësisë Administrative Melan u desh rreth 2 orë në këmbë, rrugë të cilën e bëjnë banorët në këmbë. Kjo është situatë kriminale, Rama dhe drejtuesit lokalë e kanë kuptuar humbjen dhe tani kanë braktisur qytetarët.

Kjo situatë ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është, largimi i qeverisë Rama me 25 prill. Qeveria Basha ka një program të detajuar i ndjeshëm për qytetarët.

Do të përfundojë infrastruktura rrugore, ajo turistike, do të mbështeten nxënësit me libra, do të hapet Universiteti i Dibrës. Qeveria Basha do të mbështesë realisht fermerët me subvencione dhe pika grumbullimi, që prodhimet e tyre të mos kalben.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb



Source link