Shqipëria e nis me fitore rrugëtimin drejt “Katar 2022”

22

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka luajtur mbrëmjen e sotme ndeshjen e parë eliminatore të vlefshme për Botërorin Katar 2022. Në transfertën e Andorrës kuqezinjtë tanë triumfuan me rezultatin 1-0, me një gol të shkëlqyer të shënuar nga Ermir Lenjani në minutën e 41-të të takimit, gol që na dha qetësi.

Fraksioni i dytë i lojës nisi ashtu si edhe i pari, me dominimin total të Shqipërisë së drejtuar nga trajneri Edi Reja. Skuadra kontrolloi lojën dhe tentoi në shumë raste të gjejë golin e sigurisë. Në minutën e 62-të të takimit, trajneri Reja ndërhyri në formacion duke larguar Ledian Memushaj për Qazim Laçin dhe Rei Manaj për Myrto Uzunin, duke i dhënë më shumë freski mesfushës dhe sulmit.

Loja vazhdoi të ishte e gjitha në gjysmëfushën e Andorrës, me kuqezinjtë që nuk rrezikuan asnjëherë në prapavijë. Në minutën e 81, Ermir Lenjani dhe Sokol Cikalleshi, i lanë vendin Odise Roshit e Armando Brojës. Klaus Gjasula iu afrua golit në minutën e 89-të, me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zone, që vuri në provë reflekset e portierit kundërshtar. Minuta e fundit solli edhe rastin e fundit të ndeshjes, me Keidi Baren që kërkoi golin e dytë, me një goditje me takë. Gjithçka u mbyll me rezultatin 1-0, me kuqezinjtë që e nisin me fitore këtë rrugëtim drejt kualifikimit për Botërorin “Katar 2022”.

Të dielën, më 28 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë kualifikuese ndaj Anglisë, në stadiumin kombëtar “Air Albania”, ndërsa më 31 mars, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt San Marinos.



Huazuar nga