Qengjat dibran edhe sivjet në tryezat italiane

31

Megjithatë, edhe pse ka patur një interesim të madh për plasmanin e qengjave nga Dibra dhe rajoni, fermerët e kësaj ane as nga së afërmi nuk janë të kënaqur me çmimin. “Aktualisht, një kilogram e qengjit të gjallë është shitur për 135 ndenarë. Me këtë çmim nuk mund ti paguajmë as harxhimet primare për rritjen e qengjave”, thonë blegtorët

Vjollca SADIKU

Dibër, 25 mars – Plasmani i qengjave të fermerëve në Dibër dhe Qendër Zhupë është drejt përfundimit. Edhe këtë vit kualiteti i mishit të qengjave ka rezultuar me interesimin e madh të firmave, të cilët bëjnë grumbullimin e qengjave , prandaj edhe shitblerja realizohet me një dinamik të përshpejtuar. Qengjat e Dibrës dhe rajonit për Pashkët do të gjenden në tryezat të italianëve thonë përfaqësuesit e fermerëve dibran. Kryetari i Shoqatës të blegtorëve dibran “Dashi”, Skënder Ame, për gazetën KOHA thotë se këtë vit pritet që fermerët dibran dhe të Zhupës të shesin 28 mijë qengja. Aktualisht, tregon ai, mbi 80 për qind e sasisë të qengjave që kanë qenë për shitje – është shitur edhe atë kompanive “Stoko Promet” nga Shkupi dhe një kompani tregtare nga qyteti i Kavadarit. Kryetari i Shoqatës, Skënder Ame, shton se tradicionalisht – interesimi i kompanive që merren me blerjen e qengjave nga Dibra dhe rajoni është i madh meqë kualiteti i tyre është në nivel të lart.

“Qengjat janë rritur në një ambient shumë të pastër dhe si të tillë – edhe në përputhje me peshën e tyre janë atraktiv për tregun e jashtëm”, thotë Ame. Në bisedën që patëm me përfaqësuesit e kompanive që bëjnë blerjen e qengjave të kësaj ane, u informuam se edhe këtë vit – në prag të Pashkëve, qengjat do të eksportohen në masë drejt Italisë. “Blerësit italian nga kompanitë e Maqedonisë gjithmonë kanë kërkuar mishin e qengjave nga Dibra dhe rajoni”, thotë bashkëbiseduesi jonë Skënder Ame, i cili po ashtu edhe këtë sezon si fermer ka shitur disa qindra qengja nga kopetë e tij. Megjithatë, edhe pse ka patur një interesim të madh për plasmanin e qengjave nga Dibra dhe rajoni, fermerët e kësaj ane as nga së afërmi nuk janë të kënaqur me çmimin. “Aktualisht, një kilogram e qengjit të gjallë është shitur për 135 ndenarë. Me këtë çmim nuk mund ti paguajmë as harxhimet primare për rritjen e qengjave”, thonë blegtorët. Ndihmë shtesë është pagesa e subvencioneve, që është 400 denarë për kokë qengji, por edhe kjo vlerë – siç thonë blegtorët, ka nevojë të jetë më e lartë nëse duam një zhvillim të qëndrueshëm të blegtorisë në vend. “Nëse ka stimulime materiale më të mëdha, garantohet edhe zhvillimi i shpejt i blegtorisë në këtë pjesë të vendit ku ka një mjedis jetësor që garanton një prodhim bio të mishit”, tregon Skënder Ame.

Duke dhënë sqarime rreth plasmanit të qengjave, përfaqësuesit e shoqatës “Dashi” theksojnë se kompanitë që grumbullojnë qengjat preferojnë ti blejnë ata që kanë peshën më të vogël, meqë edhe kërkesat në tregun evropian janë të tilla. Aktualisht blegtorët e të dyja komunave – një pjesë të kopeve të bagëtisë së imët e kanë vendosur gjatë këtij sezoni dimëror në fushën e Pellagonisë, kurse pjesa tjetër gjendet në periferi të Dibrës dhe Zhupës. Blegtorët theksojnë se nuk kanë probleme me sigurimin e ushqimit dhe njëkohësisht kanë filluar me përgatitjet për të rregulluar stanet verore në bjeshkët e pasura që gjenden në malet për rreth Dibrës siç janë Stogova, Deshati, Bistra, Korabi… (koha.mk)